Bravo Sllovakia dhe turp për heshtjen tonë

Ndaje

Po lexoja me vëmendje amendamentet kushtetuese të miratuara në Sllovaki, në shtatorin e këtij viti. Dhe, për herë të parë pas shumë kohe, ndjeva një ndjesi respekti për një politikë që mbron diçka kaq të thjeshtë, por kaq themelore,familjen, fëmijën, dhe rendin natyror të jetës. Sllovakia e tha qartë.Në këtë vend ekzistojnë dy gjini, mashkull dhe femër. Adoptimi i fëmijëve i takon vetëm çifteve të martuara. Ligji kombëtar ka përparësi mbi çdo ndikim të jashtëm. Seksi nuk ndryshohet për dëshirë por vetëm për arsye serioze shëndetësore. Kurrikulat shkollore respektojnë kulturën dhe moralin kombëtar. Një formulë e qartë, pa frikë, pa hipokrizi. Një PO për jetën dhe natyrën, në një epokë ku shumë vende e kanë kthyer fëmijërinë në terren eksperimentesh ideologjike. Një vendim që i jep dinjitetit njerëzor kuptimin e vet të parë, jo si e drejtë për ta shpikur veten çdo ditë, por si përgjegjësi për të qenë vetvetja. Por sapo mbarova leximin, ndjeva ndot dhe neveri.Ndotje morale, ndotje mendimi, ndaj atyre që këtu, në vendin tim, mbrojnë me ngulm një projektligj që nuk mbron fëmijët por i zhvesh nga pafajësia. Ndotje ndaj atyre që e quajnë “barazi” atë që në thelb është kaos etik.
E, më keq akoma, ndotje ndaj disa individëve që njoh personalisht,njerëz që e dinë mirë se çfarë po ndodh, por zgjedhin të heshtin, të votojnë, të pranojnë. Sepse në fund, gjithçka kthehet në një pyetje shumë të thjeshtë. A kemi ende guxim të themi “jo”? Jo për ide që shkatërrojnë fëmijërinë, që përmbysin biologjinë, që zëvendësojnë edukimin me ideologji. Jo për “neutralitetin gjinor” që ngatërron.
Jo për një botë ku gjithçka relativizohet dhe asgjë nuk mbetet e shenjtë. Njerëzit e Sllovakisë nuk e bënë këtë për t’u dukur konservatorë, por për të mbrojtur qetësinë e brezit të ardhshëm. Ata kuptuan diçka që shumë kombe e kanë harruar se kur humbet kuptimin e familjes, humbet çdo themel tjetër të shoqërisë. Prandaj, po, bravo Sllovakia. Sepse në një kohë ku shumica përkulin kokën, dikush ngriti zërin për fëmijët, për familjen, për të vërtetën. Dhe për ne që shohim nga larg, me neveri dhe dhimbje, ndoshta ka ardhur koha të mos rrimë më në heshtje. Sepse ndonjëherë, ndotja më e madhe nuk është ajo që vjen nga jashtë, por ajo që përhapet kur ne heshtim përballë absurdit.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit