Në një kohë ku gjithçka matet me produktivitet, edhe njeriu po bëhet pjesë e një zinxhiri konsumi por këtë herë, ai është produkti. Konsumojmë ditë pas dite, energji, emocione, përpjekje, ndjenja,derisa një ditë, trupi dhe mendja ndalen dhe thonë, mjaft. Ky është momenti i konsumimit të brendshëm, një gjendje që shkon përtej lodhjes fizike apo emocionale.
Është një formë rraskapitjeje e thellë, ku njeriu humb kuptimin, ritmin dhe ndjenjën e lidhjes me veten. Një heshtje e brendshme që shpesh keqkuptohet si dembelizëm, por në të vërtetë është sinjali i shpirtit që po digjet nga mbingarkesa. Kur duhet ta kuptojmë se po konsumohemi?
Konsumimi nuk ndodh papritur. Ai vjen ngadalë, si uji që gërryen një gur ,çdo ditë pak nga pak.
Simptomat e para shpesh janë të padukshme.
Zgjohesh pa dëshirë edhe pse ke fjetur mjaftueshëm.Detyrat që dikur ishin të lehta, tani duken të rënda.Gjërat që të gëzonin, nuk të japin më asnjë ndjenjë.Fillon të izolohesh, të kesh nervozizëm pa arsye ose një ndjesi boshllëku që nuk mbushet me asgjë.
Në fazat më të thella, konsumimi shfaqet si neurozë,depresion, humbje interesi, çrregullime të gjumit, tension muskulor, probleme me tretjen dhe shpesh,ndjenja faji për dobësinë.
Shkenca e ka quajtur këtë “Sindroma e konsumimit emocional” ,një formë e stresit kronik që rrënon ekuilibrin biologjik dhe psikologjik të njeriut.
Por cfarë ndodh në trupin tonë?
Kur jemi nën stres të vazhdueshëm, trupi aktivizon një mekanizëm mbijetese që lëshon hormone si adrenalina dhe kortizoli.
Këto janë ndihmës në situata të vështira por kur mbeten të larta për shumë kohë, ato dëmtojnë trupin.Ngadalësojnë sistemin imunitar.Rrisin tensionin e gjakut dhe lodhin zemrën.Dëmtojnë kujtesën dhe përqendrimin.Ndikojnë në humor dhe ndjenjën e kontrollit.
Në këtë gjendje, trupi jeton në “mbijetesë”, jo në “jetesë”. Dhe kur njeriu jeton gjatë në mbijetesë, lodhet jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht.
Pse ndodh ky konsumim?
Shkaqet janë të shumëfishta, por në thelb të gjitha lidhen me mungesën e balancës.
Puna pa pushim, pa kuptim. Përgjegjësi të shumta dhe pritshmëri të larta.
Jetë emocionale e shpërfillur.
Ndjenja e përhershme se “duhet të bësh më shumë” për të qenë mjaftueshëm. Por shoqëria moderne na mëson të jemi efikasë dhe jo të qetë.
Të arrijmë, jo të ndalemi.
Por trupi nuk e njeh këtë gjuhë sepse ai di të flasë vetëm përmes simptomave,lodhje, dhimbje koke, tension, humbje interesi, nervozizëm.
Konsumimi është mënyra e trupit për të thënë.
“Më je kthyer në makinë dhe unë nuk jam makinë.” Por a mund ta parandalojmë?
Po. Por vetëm nëse ndërgjegjësohemi herët dhe mësojmë të dëgjojmë trupin dhe ndjenjat tona.
Këshilla: Dëgjo sinjalet e trupit.Nëse diçka të lodh vazhdimisht, nuk është thjesht stërmundim por mungesë ekuilibri. Mos e injoro. Mos e quaj pushimin “dobësi”.
Pushimi është pjesë e produktivitetit, jo armiku i tij. Trupi nuk rigjenerohet në stres por në qetësi. Krijo rituale të vogla të qetësisë.
Lexo, ec, frymo thellë, qëndro në heshtje. Janë ushqim për trurin dhe shpirtin.
Një mendje e qetë sheh zgjidhje që lodhja i fsheh. Mos ki frikë të kërkosh ndihmë.
Fol me një mik, një psikolog, një shpirt që të dëgjon pa gjykuar.
Nuk është turp të jesh i lodhur por njerëzore. Kujto se nuk ke nevojë të jesh perfekt.Konsumimi lind nga lufta me një ideal që nuk ekziston.
Prano se mjafton të jesh mirë, jo gjithmonë “më i miri”. Kthehu tek vetja.
Parandalimi nuk fillon në spital por në ndërgjegje. Fillon atëherë kur kupton se jeta nuk është garë, por rrugë, dhe çdo njeri ka ritmin e vet.
Konsumimi nuk është thjesht fundi i energjisë por mungesa e lidhjes me veten.Ndërgjegjësimi është hapi i parë për ta kthyer këtë lidhje në jetë. Siç ka thënë psikologu Viktor Frankl,
“Njeriu nuk ka nevojë për mungesë tensioni por për qëllim por ai që e humbet qëllimin, djeg veten në kërkim të tij.” Ndaj nëse ndihesh i lodhur, i shteruar, i drobitur,nëse çdo mëngjes duket i njëjtë ,ndalo pak. Trupi yt, mendja jote dhe shpirti yt po të flasin.
Ata nuk kërkojnë luks por kujdes. Nuk kërkojnë sukses por ekuilibër. Në fund,konsumimi është thirrja e jetës që të kujton se ti nuk je vetëm energji për t’u harxhuar por dritë për t’u ruajtur.
Ndaje
