Simfonia e Brendshme

Ndaje

Jeta e përditshme na mban gjithmonë në lëvizje. Zhurma e mesazheve, detyrat e panumërta, lajmet që mbushin ekranet,të gjitha na shtyjnë të harrojmë atë që është më e rëndësishme. Lidhjen me vetveten. Por brenda këtij kaosi ekziston një dhuratë e heshtur, një udhërrëfyes për shpirtin, muzika. Muzika nuk është thjesht tinguj që dëgjohen me veshët por gjuhë e shpirtit, një mënyrë për të ndjerë, për të reflektuar dhe për të qetësuar mendjen. Një violinë e butë mund të të përqafojë, të të shpëtojë nga trazimi,një këngë rock mund të zgjojë energjitë e fshehura, xhazi mund të të çojë në udhëtime të papritura brenda vetes. Çdo notë, çdo pauzë, çdo ritëm flet për një pjesë tëndin që shpesh harrojmë. Disa minuta me muzikën e duhur janë më të fuqishme se orë të tëra meditimi. Ato na kujtojnë se mund të ndalemi, të marrim frymë dhe të rikthehemi te vetja. Dhe ashtu si një simfoni, edhe brenda nesh ka heshtje dhe tinguj që presin të zbulohen. Heshtja nuk është boshllëk por pjesa që lidh çdo emocione me vetëdijen, që i lejon ndjenjat të lëvizin lirshëm. Të kujdesesh për shpirtin do të thotë të gjesh kohë për muzikën, të krijosh rituale të vogla që të rilidhen me veten, të eksperimentosh me zhanre të ndryshme dhe t’i lejoni tingujt të flasin për ty. Në një ditë të vështirë, lejo që emocionet të dalin përmes një kënge, pa analizuar, pa gjykuar. Në atë përqafim të heshtur, mendja pushon dhe zemra qetësohet. Muzika është portë. Ajo të lejon të hapësh dyert e brendshme të mendjes dhe zemrës. Ti e meriton këtë përqafim. Zgjidh një këngë të embël sot, lëre që tingujt të pushojnë trurin dhe të ngushëllojnë shpirtin sepse kur dëgjon vërtet, kur ndjen çdo notë, ti nuk po largohesh nga bota por po rikthehesh tek vetja. Dhe aty, në atë hapësirë të brendshme, fillon simfonia jote e vërtetë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit