Ndërgjegjësim dhe fuqia e fjalës

Ndaje

Në çdo ditë të jetës sonë përdorim fjalët për të shprehur mendimet, për të ndërtuar marrëdhënie, për të zgjidhur konflikte apo për të ndarë emocione.
Por sa shpesh ndalemi për të reflektuar mbi peshën që mbart çdo fjalë që themi?
Fjala nuk është vetëm mjet komunikimi por një forcë krijuese që mund të ndryshojë mënyrën si njerëzit mendojnë, ndjejnë dhe veprojnë. Të flasësh me vetëdije është një art i thellë. Në lashtësi, në Athinën demokratike, sofistët ishin ata që e kuptuan këtë më mirë se kushdo tjetër. Ata nuk e mësonin të folurin si një formë zbukurimi, por si një fuqi për të ndikuar në mendjen dhe shpirtin e njeriut. Sipas tyre, retorika ishte arti i të bindurit përmes arsyes, etikës dhe emocioneve,një art që i jepte zë mendimit dhe kuptim shoqërisë.
Nëpërmjet fjalës, sofistët i udhëzonin të rinjtë të mësonin të argumentonin, të dëgjonin dhe të kuptonin, duke krijuar kështu qytetarë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm. Edhe sot, mijëra vite më vonë, parimet e tyre mbeten po aq të vlefshme.
Në një epokë ku zërat janë të shumtë, por dëgjimi i vërtetë është i rrallë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për artin e retorikës dhe për ndërgjegjësim në komunikim.
Të flasësh bukur nuk do të thotë të përdorësh fjalë të mëdha, por të përdorësh fjalët me mendim, me ndjenjë dhe me qëllim. Çdo fjalë që del nga goja jonë duhet të mbajë një përgjegjësi morale, sepse ajo mund të ndërtojë ura mirëkuptimi ose të ngrejë mure ndarjeje. Fjala e mirë është si dritë. Ndricon pa zhurmë.
Ajo lind nga dëgjimi, nga reflektimi dhe nga ndjenja e respektit ndaj vetes dhe të tjerëve.
Njeriu që dëgjon me kujdes, mëson të flasë me qartësi. Ai që flet me qartësi, mëson të ndikojë me dashamirësi. Ky është thelbi i ndërgjegjësimit në komunikim,të kuptosh se fjala jote ka peshë, dhe se përmes saj ti ndikon në botën rreth teje. Në fund të fundit, fjala është pasqyra më e kthjellët e mendjes. Ajo tregon kush je, çfarë di dhe si mendon. Prandaj, përpara se të flasim, duhet të ndalemi dhe të pyesim veten:
A po ndërtoj apo po rrënoj?
A po ndriçoj apo po errësoj?
A po flas për të kuptuar apo vetëm për t’u dëgjuar?
Vetëm kur ta bëjmë këtë pyetje, fjala jonë do të fitojë dritën e vërtetë të ndërgjegjësimit.
Të flasësh me kujdes, bukur dhe saktë nuk është privilegj i pak njerëzve por një mundësi që ka secili prej nesh për të ndikuar pozitivisht.
Në çdo bisedë, në çdo debat, në çdo mësim apo fjalim,ne kemi një mundësi për të qenë ndriçues dhe jo zhurmues. Le të rikthejmë vlerën e fjalës së menduar, fjalës që ndërton dhe përçon dritë.Sepse kur fjala del nga një mendje e kthjellët dhe një zemër e ndershme, ajo nuk është më thjesht tingull por bëhet dritë, frymë dhe trashëgimi.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit