Çdo vit, në fillim të nëntorit, Anglia ndriçohet nga dritat e kujtesës. Qielli shndërrohet në një kanavacë fishekzjarrësh, rrugët mbushen me aromën e druve të djegura dhe zhurma e gëzueshme e turmave përzihet me tingujt e traditës. Është Bonfire Night, nata kur historia, mitet dhe ndjenjat e një kombi përzihen në një zjarr të madh simbolik. Rrënjët e kësaj feste kthehen në 5 nëntorin e vitit 1605, kur Guy Fawkes dhe një grup komplotistësh katolikë planifikuan të hidhnin në erë Parlamentin Britanik gjatë hapjes solemne me Mbretin James I. Synimi ishte rrëzimi i rendit protestant dhe kthimi i monarkisë katolike por komploti, i njohur si “Gunpowder Plot”, u zbulua vetëm disa orë para shpërthimit. Fawkes u arrestua në bodrumet e Parlamentit, mes fuçive të barutit që do të ndryshonin përjetësisht fatin e Britanisë. Në atë kohë, shpëtimi i mbretit u pa si ndërhyrje hyjnore. Në shenjë mirënjohjeje, Londra u ndez me zjarre falënderimi duke shënuar fillimin e një tradite që do të kthehej në një nga festat më të dashura e më të qëndrueshme të kulturës britanike.
Në shekujt që pasuan, Bonfire Night mori forma të reja, por thelbi mbeti i njëjtë,përkujtesa përmes dritës. Fëmijët filluan të ndërtonin kukulla që përfaqësonin Guy Fawkes-in, të cilat digjeshin nëpër zjarre të mëdha,një ritual që përziente ndëshkimin simbolik me karnavalin popullor. Ndërkohë, qielli shpërthente në fishekzjarrë duke rikrijuar në mënyrë poetike atë që dikur mund të kishte qenë një katastrofë reale.
Në çdo cep të Anglisë nga Londra deri në Yorkshire, familjet mblidhen rreth zjarreve për të ndarë ëmbëlsira tradicionale si toffee apples dhe parkin cake, për të kujtuar historinë, por edhe për ta festuar jetën. Megjithatë, Bonfire Night është më shumë se një spektakël dritash. Ajo është një mësim i heshtur mbi historinë,një kujtesë se fanatizmi, dhuna dhe intoleranca nuk sjellin asgjë përveç shkatërrimit. Zjarri që dikur do të shkatërronte rendin, sot përdoret për të ndriçuar ndërgjegjen. Në një kohë kur bota përballet me ndarje të reja ideologjike, 5 nëntori mbetet një kujtesë e fuqishme se kujtesa kombëtare mund të kthehet në festë jo në përçarje.Zjarret që ndizen në Britani çdo vit nuk janë më flakë urrejtjeje, por flakë reflektimi, një dritë që kujton, paralajmëron dhe bashkon. “Remember, remember, the fifth of November” nuk është vetëm një varg poetik, por një thirrje për të mos harruar kurrë se historia, nëse nuk mbahet mend, ka gjithmonë fuqi të ndizet sërish.
Ndaje
