Në emër të atyre që qëndrojnë pro familjes, pro jetës ! Ka momente në historinë e një kombi kur fjalët e zakonshme nuk mjaftojnë më. Dhe sot është një nga ato momente kur në Parlamentin e Shqipërisë u hodhën 77 vota për një projektligj që godet në zemër familjen shqiptare, unë ndjej jo thjesht zemërim por neveri të thellë. Ju, që duhej të mbronit themelet morale të këtij vendi, votuat kundër tyre. Ju, që duhej të ruanit identitetin dhe vlerat e këtij populli, i shitët për një interes të momentit. Në atë sallë nuk u rrëzua vetëm një parim ligjor por nderi, morali dhe ndërgjegjja kombëtare. Familja nuk është ideologji por jeta vetë. Është dashuri, përkushtim, kujtesë. Familja është kulla që na mban gjallë në çdo kohë dhe në çdo krizë. Dhe ju sot, me votat tuaja, e goditët pikërisht aty, në themel. T’ju vijë turp! Krenohuni tani për fëmijët tuaj, për nipërit e mbesat tuaja, për shembullin që u latë. Sepse nesër, kur ata të rriten dhe të kuptojnë çfarë bëtë, do t’ju pështyjnë dhe do t’ju neverisin. Emrat tuaj nuk do të përmenden me respekt, por me zhgënjim. Historia nuk do t’ju mbajë mend si vizionarë, por si ata që e shitën moralin për një duartrokitje më shumë. A nuk ju dhimbsen fëmijët tuaj? Nipërit? Mbesat? Apo për interesa të momentit shisni turpshëm veten tuaj? Si do t’u shpjegoni atyre pse e tradhtuat vlerën më të shenjtë që njeh ky komb, familjen? Ta gëzoni, pra, projektligjin tuaj “fisnik”. Ta gëzoni në heshtjen e ndërgjegjes që do t’ju ndjekë çdo ditë. Dhe Zoti ua dhëntë në kokë atë që votuat sot, që të ndjeni vetë peshën e asaj që i bëtë këtij vendi dhe brezave që do të vijnë. Turp! Turp për vendimin, për servilizmin, për harresën e rrënjëve. Por mbi të gjitha, turp sepse e bëtë këtë kundër fëmijëve tuaj, kundër çdo gjëje që na mban njerëz. Por dijeni mirë. Beteja nuk ka mbaruar. Ka ende shqiptarë që besojnë tek familja, tek dashuria e pastër, tek martesa si bashkim i shenjtë, tek prindërit që rrisin fëmijë me dinjitet dhe besim. Ka ende të rinj që kuptojnë se liria e vërtetë nuk është në shkatërrim, por në ndërtim. Unë dhe shumë si unë do të qëndrojmë deri në vdekje PRO FAMILJES. PRO jetës, PRO dashurisë, PRO Shqipërisë që nuk dorëzohet përpara asnjë presioni. Sepse kombi që humb familjen, humb shpirtin. Dhe një komb pa shpirt, nuk ka të ardhme.
