Sot, në një klasë të zakonshme, në një shkollë të zakonshme, ndodhi diçka që s’kishte asgjë të zakonshme. Ora e parë ishte psikologji. Një orë ndryshe. Një orë ku nuk kishte tabela, formula apo përkufizime. Kishte vetëm ndershmëri, dëgjim dhe hapësirë për të ndjerë. Nxënës që dëgjonin me vëmendje, që flisnin pa frikë, wë donin të kuptonin më shumë, jo për të tjerët por për veten. Folëm për ankthin, për pasiguritë, për lodhjen që shpesh e fshehim pas një buzëqeshjeje. Folëm për vështirësinë për të shprehur ndjenjat, për frikën nga gjykimi dhe për ato emocione që i mbajmë brenda, duke shpresuar se do të kalojnë vetë. Por ato nuk kalojnë, nëse nuk i emërton. Nuk lehtësohen, nëse nuk dëgjohen. Në atë orë, klasa u kthye në një hapësirë të qetë e të sigurt. Jo për të dhënë mësim, por për të mësuar njëri-tjetrin. Dhe ndërsa i shihja mendoja me vete se këto janë orët që vlejnë. Janë orët ku mësimi bëhet mirësi, ku një fjalë mund të bëjë dritë, ku një ndjesi e paqartë më në fund merr formë. Janë ato çaste të qeta ku një zemër e re kupton se nuk është vetëm. Shpesh flasim për suksesin si për një garë. Kush është më i miri, më i zoti, më i shpejti. Por në fund, nuk ka sukses më të madh se të rrisim fëmijë që ndihen mirë me veten. Fëmijë që dinë të ndalojnë, të dëgjojnë, të kuptojnë. Që nuk kanë frikë nga ndjenjat e tyre. Që e pranojnë veten edhe kur s’janë perfektë. Sepse lumturia nuk mësohet nga librat por nga mirëkuptimi, nga ndjeshmëria, nga dashuria për veten dhe për tjetrin. Kujdesi për shëndetin mendor nuk ka nevojë për strategji të mëdha. Ai fillon me gjeste të vogla, me njerëz të zakonshëm që bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Fillon me një orë ndryshe, me një mësues që dëgjon, me një shok që të kupton, me një prind që nuk gjykon. Fillon me një hapësirë që nuk sheh vetëm nota por edhe ndjenja. Sepse ndonjëherë, mjafton një vështrim, një fjalë e butë, një përqafim i heshtur për t’i treguar dikujt se nuk është vetëm. Sot nuk dhashë mësim. Sot mësova.
Mësova se çdo nxënës ka një histori. Se çdo zemër mban një peshë të vetën. Se ndonjëherë, më e rëndësishme se përgjigjja e saktë, është pyetja që lind nga zemra. Dhe se më shumë se çdo notë, vlen një ndjenjë mirëkuptimi.
Ndaje
