Bullizmi online. Kur fjalët lëndojnë më shumë se grushtat

Ndaje

Unë e shoh çdo ditë sesi jeta e fëmijëve është bërë një zgjatim i ekranit të telefonit. Një botë ku gëzimi, frika, krenaria dhe turpi jetojnë brenda disa klikimeve dhe aty, mes postimeve e komenteve, ka një dhunë që nuk shihet, por që lë plagë më të thella se çdo goditje fizike,bullizmi online. Nëpër shkolla, faqe që mbajnë logon e institucioneve janë kthyer në vende ku shpërndahen tallje, përqeshje dhe fyerje. Në pamje të parë duken si shaka të pafajshme, si një mënyrë “argëtimi” mes të rinjve, por në të vërtetë janë arenat e dhunës më të fshehtë,dhunës që shemb dinjitetin, që errëson besimin, që i bën fëmijët të ulin sytë dhe të mbyllin zemrën. Dhe pastaj vjen justifikimi i zakonshëm, ajo mburoja e ftohtë që kemi mësuar ta dëgjojmë me lehtësi.“Janë fëmijë.” Por jo. Kjo nuk është përgjigje. Kjo është arratisje nga përgjegjësia.
Fëmijët nuk janë robotë që e përballojnë dhimbjen. Ata nuk harrojnë.Ata e mbartin çdo përqeshje si barrë, çdo fjalë si plagë dhe kur kthehen në shtëpi dhe heshtin, kur frika bëhet pjesë e përditshme, atëherë heshtja jonë bëhet bashkëfajësi. Mësuesit duan më të mirën për nxënësit e tyre ,këtë nuk e vë askush në dyshim. Por edhe ata, ndonjëherë, janë të lodhur, të përfshirë në sistemin që e minimizon dhunën, që fsheh plagët pas justifikimeve. “Janë fëmijë”, themi. “Do kalojë.” Por bullizmi nuk kalon. Ai rritet në hije, sa herë që një i rritur vendos të mos e shohë. Ndaj cdo shkollë duhet të ketë rregulla të qarta, çdo drejtori arsimore duhet të mbajë përgjegjësi. Çdo faqe që shpërndan fyerje duhet të mbyllet dhe ata që e krijojnë duhet të përballen me pasoja. Jo për hakmarrje, por për edukim. Për t’u mësuar fëmijëve se liria e fjalës nuk është liri për të fyer dhe lënduar. Në rregulloret e shkollave duhet të shkruhet qartë se bullizmi, në çdo formë, përfshirë atë virtual, është arsye për përjashtim. Sepse drejtësia nuk është ndëshkim por kujtesë se dinjiteti është i shenjtë. Bullizmi online është plagë e kohës sonë, por mund të shërohet nëse guxojmë të themi “mjaft” sepse fjalët kanë peshë.
Disa shkatërrojnë, disa shërojnë ndaj duhet të zgjedhim çdo ditë se cilat duam të përdorim.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit