Kur buka bëhet më e rëndësishme se politika

Ndaje

Në një vend ku çdo ditë nis me ankthin e faturave dhe mbyllet me llogarinë e pazareve, pyetja se kush do të jetë kryetar bashkie tingëllon gjithnjë e më e largët. Jo sepse qytetari nuk ka mendim por sepse ai është i lodhur. I lodhur nga premtimet që nuk u kthyen kurrë në vepra, nga fjalët e mëdha që nuk mbushin shportën ushqimore, nga politika që është bërë e huaj për përditshmërinë e tij. Çmimet janë rritur si kurrë më parë. Frutat dhe perimet që dikur ishin pjesë e zakonshme e tryezës, sot janë luks i rastit. Mishi, bulmeti, vajrat, gjithçka është bërë pjesë e një liste që çdo ditë shkurtohet. Qytetari nuk pyet më për programet elektorale por për çmimin e bukës, të qumështit, të dritave, të ujit. Sepse aty, në ato shifra të vogla, qëndron realiteti i tij. Në këtë terren të mbushur me pasiguri, politika duket si një skenë që luhet diku tjetër, në një qytet tjetër, në një botë tjetër. Diskutimet për drejtimin e bashkisë duken si fjalime në një gjuhë që njerëzit nuk e kuptojnë më. Dhe ndoshta, faji nuk është vetëm i qytetarit që ka heshtur, por i një sistemi që e ka bërë të mos ndjejë më as shpresë, as besim, as lidhje me ata që flasin në emër të tij. Por në heshtjen e përditshme, mes varfërisë së re që po mbulon familjet, fshihet një mesazh i fortë që njerëzit nuk duan më premtime por dinjitet. Nuk kërkojnë mrekulli por ndershmëri. Nuk duan fjalë por vepra që preken, ndryshime që ndihen. Prandaj, pyetja “a i intereson qytetarit kush do të jetë kryetar bashkie?” nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Po, qytetarit do t’i interesonte nëse do të ndjente se ai votim, ajo zgjedhje, do të kishte ndikim real në jetën e tij. Por kur çdo ditë përballet me zgjedhje më themelore “ çfarë do hamë sonte?” politika humbet kuptimin. Kriza më e madhe që po kalon shoqëria jonë nuk është vetëm ekonomike por morale. Është mungesa e besimit, e ndjenjës se dikush e dëgjon, e përfaqëson dhe kujdeset realisht për qytetarin e zakonshëm. Sepse për sa kohë buka e përditshme është luftë, asnjë fushatë politike nuk mund të fitojë shpirtin e një populli të lodhur. Drejtimi i Vlorës është një barrë që kërkon jo vetëm vizion por durim dhe dashuri për qytetin. Ndoshta nuk ka receta të gatshme për të bërë më të mirën, por ka një fillim, vullnetin për të dëgjuar, për të bashkuar dhe për të mos harruar njerëzit e zakonshëm.
Le të shpresojmë që kësaj here, fjala “ndryshim” të mos mbetet në letër por të kthehet në ndjenjë dhe realitet për çdo vlonjat sepse qyteti nuk kërkon mrekulli.
Kërkon drejtues që ta ndiejnë Vlorën dhe jo ta përdorin. Që të shohin përtej fasadës, përtej propagandës, dhe të kujtojnë se pas çdo vote qëndron një familje, një jetesë, një shpresë. Le të shpresojmë që këtë herë, premtimet të mos zbehen me dallgën e parë, por të qëndrojnë si gurë në themelet e këtij qyteti të lodhur por kurrë të dorëzuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit