
Në një qytet ku virtyti shpesh përjashtohet dhe gratë rrallë ngrihen, një kandidaturë bëhet më shumë se politikë, bëhet simbol. Të jesh grua dhe të guxosh të kandidosh për drejtimin e Bashkisë së Vlorës nuk është thjesht një akt politik por një deklaratë force, një sfidë ndaj një fryme që ka rezistuar çdo ndryshim dhe shpesh i ka përplasur derën në fytyrë jo vetëm grave, por çdo njeriu me moral dhe integritet. Vlora ka qenë gjithmonë më e vështirë për gratë, më e rreptë, më dyshuese, më e pamëshirshme në gjykim dhe më e etur për të rrëzuar se sa për të ndërtuar. Por kjo nuk është histori vetëm për gratë. Në thelb, qyteti ka refuzuar vazhdimisht njerëzit me virtyt, kulturë dhe karakter dhe shpesh më ashpër gratë. Ata që kanë përfaqësuar ndryshimin janë lodhur duke u përpjekur të mbajnë të drejtën mbi ujë në një terren të rrëshqitshëm, me baltë ngjitëse, frymë të rënduar nga klane, interesa, inate, egot dhe maskilizmi i deformuar. Gratë që kanë guxuar shpesh janë rrëzuar nga goditje të pamëshirshme deri në përdhosje personale. Ndaj kandidimi i një gruaje sot nuk është një akt elektoral i zakonshëm. Është përfaqësim për të gjitha gratë që kanë heshtur, krenari për ato që janë përjashtuar, përçmuar ose quajtur të dobëta për politikën. Është zë për ato që ndihen të huaja në qytetin e tyre. Një grua në krye të Bashkisë nuk është thjesht eksperiment social por mundësia për të shpëtuar qytetin nga një trashëgimi politike që ka dështuar t’i japë qytetarëve një model njerëzor, etik dhe të drejtë.
Por kjo rrugë nuk është e lehtë. Jemi mësuar të shajmë dhe të shahemi pa pushim. Në vend që të vlerësojmë ata që guxojnë, kërkojmë çdo mënyrë për t’i përbaltur. Gërmojmë në vrimat e miut për të nxjerrë baltë, për të gjetur “gjëra” që shpifin dhe jo që ndriçojnë. E njëjta gjë po ndodh edhe tani,me të gjithë kandidatët por më shumë me atë që guxon të jetë grua.
Kur je grua, duhet të përballosh më shumë grushta, më shumë përdhosje, më shumë gjykime. Do të nxjerrin gjithçka nga “sepeti i zi” i shpifjeve, vetëm për të të thyer shpirtin.
Por kjo nuk është hera e parë por dëshmia se sa poshtë mund të bjerë një shoqëri kur i trembet ndryshimit. Prandaj, kujdes njerëz! Po, kemi lirinë e fjalës, por nuk kemi komoditetin për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje.
Fjalët kanë peshë, ato ndërtojnë ose shkatërrojnë, mund të jenë gurë ose ura dhe nëse duam një qytet më të drejtë, më të ndershëm, më njerëzor, duhet të fillojmë nga mënyra se si flasim për njëri-tjetrin. Dhe nëse kjo grua guxon të hyjë në garë, ajo nuk hyn vetëm për të fituar vota, por për të hapur një derë që ka qëndruar shumë gjatë e mbyllur, për gjysmën e qytetit,për gratë.
Kjo është kurajo në kohë mosbesimi.
Është mundësia që Vlora të shohë veten ndryshe. Nëse qyteti ka sy për ta parë, ky nuk do të jetë fundi i një fushate por fillimi i një ndryshimi të vonuar, të nevojshëm dhe të guximshëm.
