Deri ku shkon toleranca?

Ndaje

Në një epokë ku bota ka më shumë zëra se kurrë, fjala “tolerancë” dëgjohet shpesh por kuptohet rrallë. Ne e përdorim për të treguar qytetari, për të shfaqur emancipim, për të pranuar ndryshe-shmërinë por në thelb, sa të gatshëm jemi ta zbatojmë atë?
Deri ku shkon toleranca jonë? Volteri, shekuj më parë, e ngriti këtë pyetje në një Evropë të mbërthyer nga fanatizmi fetar dhe ndarja e mendimeve dhe kërkoi që njeriu të mos gjykohej për besimin, por për veprën,të mos përndiqej për mendimin por të dëgjohej për arsyen. Për të, toleranca ishte fryma që shpëtonte njerëzimin nga errësira edhe pse e dinte se toleranca ka një kufi, ajo nuk mund të bëhet strehë për padrejtësinë, as alibi për dhunën dhe urrejtjen. Sot, në një realitet që pretendon liri dhe demokraci, koncepti i tolerancës duket se po deformohet. Toleranca shpesh ngatërrohet me mosreagimin, me heshtjen ndaj së keqes, me pranimin e çdo gjëje në emër të “respektit për mendimin ndryshe”. Jemi bërë të duruar ndaj gënjeshtrës, ndaj shkeljes së ligjit, ndaj mediokritetit që ngrihet në vlera ndërsa harrojmë se vetë Volteri nuk predikonte një tolerancë pasive por aktive, që lind nga arsyeja, drejtësia dhe dinjiteti. Toleranca nuk do të thotë të pranosh çdo gjë por të respektosh njeriun dhe të mos pajtohesh me padrejtësinë. Do të thotë të dëgjosh, por edhe të flasësh kur e vërteta heshtet. Nëse pranojmë gjithçka, pa e gjykuar moralisht apo logjikisht, atëherë kemi humbur aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Në shoqëritë e sotme, ku rrjetet sociale kanë zëvendësuar debatet dhe opinioni shpesh matet me klikime, filozofia e Volterit duket si një kujtesë e vonuar se nuk mjafton të jesh tolerant por i arsyeshëm. Arsyeja është kufiri i vërtetë i tolerancës. Sepse aty ku arsyeja shuhet, lind fanatizmi, ekstremizmi dhe urrejtja, të njëjtat plagë që Volteri kërkoi t’i shëronte. Në këtë botë ku çdo njeri kërkon të dëgjohet, por pak duan të kuptojnë, kujtimi i filozofit të Iluminizmit bëhet një pasqyrë për kohët tona. Ai na mëson se toleranca është një akt guximi,për të pranuar ndryshimin pa humbur vetveten, për të dëgjuar tjetrin pa dorëzuar arsyen, për të mbrojtur lirinë pa lejuar kaosin.Dhe ndoshta pyetja e Volterit mbetet po aq aktuale sa atëherë.
A dimë vërtet të jemi tolerantë, apo kemi mësuar vetëm të heshtim?

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit