Laokooni dhe bijtë e tij. Cicërima e heshtur e një historie të përjetshme

Ndaje

Disa muaj më parë, ndërsa ecja ngadalë mes korridoreve të Muzeumeve të Vatikanit, diçka më tërhoqi menjëherë, një energji e pazakontë, një thirrje e heshtur që nuk vinte nga muri apo nga kupola e muzeut por nga vetë një vepër arti. Laokooni dhe Bijtë e Tij. Statuja është quajtur shpesh “shprehja më e fuqishme e vuajtjes njerëzore që është gdhendur ndonjëherë”, dhe përballë saj, nuk mund të mos ndieje respekt dhe tronditje. Skulptura tregon priftin trojan Laokoon dhe dy bijtë e tij të shtrënguar nga gjarpërinjtë e detit. Sipas mitologjisë, perënditë i dërguan gjarpërinjtë për ta ndëshkuar, pasi Laokoon përpiqej të paralajmëronte Trojën për rrezikun e kalit prej druri të grekëve. Vdekja e tij e heshtoi dhe vulosi fatin e Trojës. Trupat e përkulur, muskujt e tendosur dhe fytyrat e mbushura me dhimbje e bëjnë këtë statujë një nga veprat më të admirueshme të antikitetit. Ajo u rishfaq në Romë në vitin 1506, gjatë një periudhe kur artistët dhe mbledhësit e artit të lashtë po rikthenin me pasion kryeveprat e antikitetit.
Skulptura u krijua rreth shekullit I para Krishtit dhe i atribuohet tre mjeshtërve të Rodosit,Agesandros, Athenodoros dhe Polydoros. Ata kapën me mjeshtëri dramatizmin ekstrem të trupit njerëzor, duke shfaqur tensionin e muskujve, përkuljen e trupave dhe fytyrat e mbushura me dhimbje, duke krijuar një gjuhë të heshtur që flet për guxim, sakrificë dhe tragjedi.
Papë Juli II, i impresionuar nga fuqia emocionale e statujës, vendosi ta vendosë në Pallatin e Vatikanit, ku sot qëndron në Muzeumet Vatikanase, për t’u bërë pjesë e koleksionit papnor dhe për t’i mundësuar botës të shohë këtë kryevepër të artit dhe shpirtit njerëzor. Vendosja e saj simbolizon lidhjen midis fuqisë shpirtërore dhe vizionit artistik,një paralajmërim i përjetshëm mbi pasojat e mosdëgjimit dhe çmimin e guximit.
Ndërsa iu afrova statujës, ndjeva një heshtje që më pushtoi. Trupat e përkulur, muskujt e tendosur, fytyrat që shpreheshin nga dhimbja ,çdo detaj ishte një rrëfim, një histori e harruar nga koha por e gjallë në atë moment. Ishte sikur Laokooni po më fliste, jo vetëm për fatin e tij dhe të bijve të tij, por për çdo njeri që guxon të thotë të vërtetën dhe shpesh paguan çmimin më të lartë.Grupi im i vizitorëve vazhdonte bisedat e zakonshme por unë mbetesha i rrëmbyer nga kjo rrëfim. Çdo grimë mermeri më tregonte se arti nuk është vetëm bukuri por dritë dhe dhimbje e përjetshme, reflektim i shpirtit njerëzor në të gjitha dimensionet e tij.
Ndërsa largohesha, një pjesë e heshtjes së statujës mbeti me mua. Laokooni nuk është thjesht një vepër arti por një kujtesë e përjetshme.Guximi shpesh paguhet me çmimin më të lartë, dhimbja dhe sakrifica nuk harrohen kurrë dhe arti ka fuqinë të na flasë për ato që fjalët nuk mund t’i thonë. Në Vatikan, ku besimi dhe arti bashkohen, Laokooni qëndron si një cicërimë e heshtur e shpirtit, që sfidon çdo vizitor të ndiejë, të reflektojë dhe të kuptojë se sa e brishtë por edhe e fortë është natyra njerëzore.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit