Në studion e podcast-it Univlora përballë kamerës dhe në një atmosferë të thjeshtë, por të ngrohtë, kisha kënaqësinë të bisedoj me dy të ftuara të veçanta, Lusi dhe Marketa, dy studente nga Çekia që për pesë muaj jetojnë, studiojnë dhe përjetojnë Vlorën si pjesë e programit Erasmus. Biseda jonë nisi me një ndjenjë të dukshme rehatie. Pas gjithë kësaj kohe në Vlorë vajzat ishin tashmë më të sigurta në rrëfimet e tyre, gati për të ndarë një eksperiencë që me siguri do ta mbajnë mend gjatë. Ato vijnë nga Opava, një qytet i vogël dhe i bukur në verilindje të Çekisë, me histori të pasur dhe arkitekturë mbresëlënëse. Në Vlorë, u përballën me një ritëm jete krejt tjetër, një qytet bregdetar, me diell, det dhe sfida që nuk i kishin përjetuar më parë.
Në fakt, Shqipëria nuk ishte zgjedhja e tyre e parë. Aplikimi i vonë për Erasmus i bëri të kenë vetëm një opsion, Universitetin e Vlorës. Por, siç ndodh shpesh me udhëtimet që nuk i planifikojmë, pikërisht ky opsion i vetëm u shndërrua në një nga përvojat më të vlefshme të jetës së tyre. Sfida e parë? Sistemi arsimor. Në ndryshim nga universitetet në Çeki, ku studentët kanë një gamë të gjerë lëndësh për të zgjedhur dhe orare më fleksibël, këtu lëndët ishin më të kufizuara Marketa, si studente masteri, ndjek shumë kurse Bachelor për të plotësuar kreditë e nevojshme. Ndërsa Lusi, u gjend përballë një kombinimi të lëndëve nga vite të ndryshme, që kërkonte organizim, përkushtim dhe jo pak durim.Ndërsa flisnim, ndalova tek një detaj që u kthye në simbolin më të dashur të qëndrimit të tyre,deti. “Deti ishte pjesa jonë e preferuar,” më thanë me buzëqeshje. Për vajza që vijnë nga një vend pa dalje në det, jetesa pranë bregut ishte një luks emocional, një frymëmarrje e re.Por Vlora nuk është vetëm plazh dhe diell. Vajzat u ndeshën edhe me sfida të tjera si boshllëku i rrugëve gjatë muajve të parë, kultura e pagesave vetëm me cash dhe mbi të gjitha, burokracia. Procesi për të marrë lejen e qëndrimit u kthye në një sfidë më vete, me shumë dokumente, tarifa dhe pritje të gjata pranë zyrave të emigracionit.
Në aspektin social, kontaktet me studentët shqiptarë mbetën kryesisht brenda ambienteve të universitetit. Ritmi i ndryshëm i jetës, angazhimet e shumta të studentëve vendas jashtë mësimit, nuk lejuan shumë miqësi të reja. Por për fat të mirë, komuniteti Erasmus u bë një rrjet mbështetës dhe një burim i rëndësishëm shoqëror për to.Për pedagogët e Universitetit të Vlorës vlerësimi i tyre është shumë pozitiv, të përkushtuar dhe të afërt, por me një stil mësimdhënieje ndryshe nga Universiteti ku ato ndjekin studimet ,më pak lëndë, më shumë detyra shtëpie dhe një ritëm mësimor disi më intensiv.
Nga momentet më të bukura, ato veçuan shëtitjet buzë detit dhe mundësinë për ta parë Vlorën jashtë sezonit turistik, kur qyteti është më i qetë dhe më autentik. Edhe pse aktivitetet kulturore ishin të pakta, një leksion mbi gjuhësinë italiane mbetet ndër kujtimet e veçanta që solli këtë eksperiencë. Në pjesën më personale të intervistës, folëm për familjet. Lusi e përshkroi këtë periudhë si një provë të fortë pavarësie, ndërsa për Marketën, me përvojë të mëparshme Erasmus, ky ishte një tjetër kapitull, me më pak ankth, por po aq emocionalisht sfidues.
Çfarë mbetet pas gjithë kësaj? Për Marketën, lëndët si Interpretimi dhe ICT janë një investim për të ardhmen e saj profesionale në fushën e arsimit. Për Lusin, kjo ishte një shkollë e jetës , një provë pjekurie dhe rritjeje personale. Kur i pyeta nëse e shihnin veten duke jetuar përgjithmonë në Vlorë, përgjigjja erdhi me buzëqeshje dhe diplomaci “ Për pushime, me shumë kënaqësi! Për të jetuar përherë? Ndoshta jo.” Por mbi të gjitha, mesazhi i tyre për studentët e ardhshëm shqiptarë dhe ndërkombëtarë ishte i qartë dhe i fuqishëm. “Jini të guximshëm! Dilni nga zona juaj e rehatisë. Erasmus është një mundësi që nuk vjen dy herë.”Në fund të intervistës, ndërsa fiknim kamerën dhe ndanim përshëndetjet e fundit, e ndjeva edhe unë atë emocion të veçantë që sjell çdo takim me njerëz që kanë zgjedhur të shohin botën ndryshe. Dhe këtë, dy studentet nga Opava e Cekisë , Lusi dhe Marketa e kanë bërë më së miri.Përmes kësaj historie, Universiteti i Vlorës tregon se sa i rëndësishëm është roli i ndërkombëtarizimit në formimin e të rinjve.
Në çdo sfidë burokratike apo kulturore, në çdo hap të vështirë apo të bukur, qëndron mundësia për rritje dhe njohje më të thellë të botës dhe vetes. Nëse jeni student dhe po mendoni për një eksperiencë jashtë vendit, le të jetë kjo një frymëzim.Cdo hap përtej kufijve tuaj, personalë apo kulturorë, është një hap drejt rritjes suaj. Vlora, me gjithë ngjyrat, sfidat dhe detin e saj, është aty për t’ju pritur.
Ndaje
