Ka libra që lexohen por ka dhe libra që të lexojnë ty. Kujtime nga shtëpia e të vdekurve është një nga ata rrëfime të rralla që nuk e lexon për ta mbyllur por për t’u përballur me veten.
Fjodor Dostojevski, pasi kaloi katër vite në kampet e Siberisë, nuk na dhuroi thjesht kujtime nga një burg i ftohtë, por një pasqyrë të njeriut të zhveshur nga çdo maskë, të zhytur në vuajtje por ende gjallë me shpresë. Ai na e vendos këtë pasqyrë përpara dhe na pyet me zë të qetë por therës: “ Sa vërtet i lirë je ti?” Në errësirën e burgut, përmes Aleksandër Petroviçit, fisnikut të dënuar që mbart zërin e vetë autorit,Dostojevski zbulon dritën më të pastër të shpirtit njerëzor. Ky burrë, që në fillim neveritet nga të dënuarit e tjerë, fillon ngadalë të shohë tek ata jo kriminelë, por njerëz,jo përbindësha por qenie që kërkojnë një arsye për të mos u shuar. Ai kupton se njeriu mund të jetë i mbyllur pas mureve por ende i hapur drejt lirisë së brendshme, asaj që lind vetëm nga dhembja dhe kuptimi dhe pikërisht këtu fillon ura që lidh burgun e Dostojevskit me burgjet tona të padukshme. Sepse edhe sot, më shumë se një shekull e gjysmë më vonë, ne jetojmë në burgje që nuk duken. Nuk janë prej guri por prej zakonesh, varësish dhe frikash. Nuk na ruajnë rojet por ritmi i shpejtë, shikimet gjykuese, dëshira për të qenë “si të tjerët”. Jemi të burgosur në ekranet tona, në heshtjen tonë, në mungesën e thellësisë që e mbajmë si mburojë ndaj botës.
Në këtë shoqëri që flet shumë por dëgjon pak, “shtëpia e të vdekurve” ka ndryshuar vetëm formë dhe jo thelb. Në roman, të dënuarit ndëshkoheshin për të mësuar çfarë do të thotë të jesh njeri.
Në kohën tonë, ndonjëherë duket se ndëshkohemi sepse e kemi harruar këtë kuptim. Ne nuk kemi më pranga në duar, por shpesh kemi pranga në zemra dhe këto janë më të padukshme, më tinëzare. Dostojevski do të kishte parë në këtë botë moderne të gjitha shenjat e një burgimi të ri, liri pa kuptim, zhurmë pa komunikim, jetë pa përjetim. Po ashtu si Aleksandër Petroviçi që zbulon dritë në errësirën e Siberisë, edhe ne mund ta gjejmë dritën tonë në rrëmujën e ditëve.
Dostojevski nuk na thërret për të dënuar veten, por për të kujtuar se brenda çdo njeriu, edhe atij më të humburit, ka diçka që nuk shuhet , një zjarr i vogël që pret frymën e dashurisë për t’u ringjallur. Ai besonte se vuajtja, përtej dhimbjes, është mundësi, mundësi për të ndjerë, për të falur, për të kuptuar. Dhe ndoshta ky është mesazhi që na duhet sot më shumë se kurrë.
Nuk duhet të kemi frikë nga errësira jonë, sepse vetëm duke e parë atë, mund të kuptojmë sa shumë dritë kemi humbur rrugës. “Shtëpia e të vdekurve” nuk është më një burg në Siberi por një kujtesë e gjallë që jeton brenda nesh, një kujtesë që na fton të zgjohemi, të ndjejmë, të falim dhe të mos vdesim shpirtërisht ndërsa trupi ende ecën i lirë.
Shtëpia e të vdekurve që jeton brenda nesh. Nga Fjodor Dostojevski drejt njeriut të shekullit XXI
Ndaje
