Në botën ku gjithçka duket e një ngjyre të vetme, ideja se mund të ekzistojnë dy të vërteta njëkohësisht tingëllon paradoksale. Por kjo është pikërisht ajo që propozoi Averroes, filozofi dhe jurist andaluzian i shekullit XII, i njohur si komentues i madh i Aristotelit. Ai jetoi në një kohë kur feja dhe filozofia shpesh përplaseshin duke rrezikuar të krijonin ndasi të pakapshme midis dijes dhe besimit. Averroes ndërmori një hap që duket radikal, ai ndau rrugët e të vërtetës duke i konsideruar të dyja të vlefshme në mënyrën e tyre. Sipas tij, e vërteta filozofike kërkon arsyen sepse ajo përpiqet të kuptojë natyrën e botës, shkaqet e saj, strukturën e universit dhe kufijtë e njohjes njerëzore. Ajo është rruga e logjikës, ku çdo pohim duhet provuar dhe çdo argument duhet ndërtuar. Nga ana tjetër, e vërteta fetare është e shpallur. Ajo nuk kërkon provë por besim. Ajo na udhëzon përmes tregimeve, ligjeve morale dhe premtimeve shpirtërore. Besimi nuk konkurron me arsyen sepse ai ka qëllimin e vet që të japë kuptim, drejtim dhe shpresë.
Averroes nuk thotë se filozofi dhe besimtari duhet të jenë njësoj por diçka më thelbësore. Ata mund të shkojnë në të njëjtin destinacion nga dy rrugë të ndryshme. Ky ishte një hap i jashtëzakonshëm drejt pluralizmit të mendimit, në një epokë kur ndonjëherë një pohim i gabuar mund të shpallej heretik.Në këtë ide gjendet një mesazh i jashtëzakonshëm për kohët tona. Ne jetojmë në një epokë ku njohuritë shkencore dhe besimet shpirtërore përplasen, nga evolucionizmi te inteligjenca artificiale, nga bioetika te shpëtimi moral. Në vend që të kërkojmë një rrugë të vetme dhe të prerë, Averroes na mëson tolerancën intelektuale, të pranosh se njëra e vërtetë nuk shkatërron tjetrën dhe se kuptimi i botës mund të ketë shumë shtresa.
Në përfundim, Teoria e Dy të Vërtetave nuk është thjesht një formulë filozofike mesjetare por një udhë për të jetuar në botën e sotme, ku informacioni, bindjet dhe besimet shpesh përplasen. Ajo na fton të ecim me kuriozitet dhe respekt, duke njohur se arsyeja dhe besimi nuk janë armiq por dy rrugë që shkojnë drejt të njëjtës dritë. Nëse më lejohet një përfundim poetik ndoshta shumë më tepër se filozofi apo teologji , Averroes ishte një mësues i lirisë së mendimit duke na treguar se të kuptuarit nuk do të thotë gjithmonë të zgjidhësh midis së drejtës dhe së shenjtës, por të ecësh njëkohësisht mbi të dyja.
Ndaje
