Në sheshin Sintagma, përballë Parlamentit grek, koha duket sikur ndalet çdo orë.
Dy figura të veshura me uniforma të bardha, me këmisha të palosura si valë, me këpucë të kuqe dhe toptha të zinj, qëndrojnë drejt, të palëvizur. Janë evzonët, rojet e Gardës Presidenciale, një trupë ceremoniale që përfaqëson jo vetëm ushtrinë greke por edhe shpirtin e kombit.
Çdo lëvizje e tyre është e përpiktë, çdo kthim koke është i ngadaltë, çdo hap është si një frymëmarrje e historisë. Fjala “evzon” rrjedh nga greqishtja e lashtë εὔζωνος (efzonos), që do të thotë, i armatosur mirë, i fortë në trup dhe shpirt. Rrënjët e evzonëve shkojnë deri në luftëtarët e lashtë grekë, hoplitët, dhe më vonë në klefët e maleve të Epirit dhe Thesalisë, luftëtarët e lirë që mbajtën gjallë frymën e pavarësisë gjatë pushtimit osman.Uniforma e tyre, megjithëse ceremonial, nuk është kostum skenik por një përmbledhje e historisë së Greqisë.
Çdo element i saj ka një kuptim të thellë:
• Fustanella me 400 palosje përfaqëson 400 vitet e robërisë osmane.
• caruqia , këpucët e kuqe me pompone të zeza, peshojnë rreth 3 kilogramë secila dhe janë simbol i qëndresës së luftëtarëve klefë.
• Këmisha e bardhë është shenjë e pastërtisë, ndërsa fezi i kuq me “lotin e zi” që varet anash, përfaqëson gjakun e derdhur për liri dhe dhimbjen e atyre që ranë. Në këtë mënyrë, evzoni nuk është thjesht një ushtar ceremonial, por një trup i gjallë i kujtesës kombëtare. Ai mban në uniformën e tij gjithë historinë që nga lashtësia e deri në Luftën e Dytë Botërore. Ndërrimi i rojeve përpara Monumentit të Ushtarit të Panjohur është një nga ritualet më simbolike të Greqisë moderne. Evzonët nuk flasin, nuk kthejnë kokën, nuk ndërveprojnë me publikun. Ata qëndrojnë në heshtje, si simbol i disiplinës, përkushtimit dhe sakrificës.
Lëvizjet e tyre janë të ngadalta, ritmike, të sinkronizuara, një koreografi e heshtur që përsëritet çdo orë, çdo ditë, në çdo stinë. Ato shprehin respekt ndaj atyre që kanë rënë për atdheun, por edhe qëndrueshmërinë morale të kombit grek. Kjo është arsyeja pse shumëkush beson se qëndrimi i tyre formon simbolikisht fjalën “ΟΧΙ” – JO, atë refuzim historik që më 1940 i dha Greqisë një vend të veçantë në ndërgjegjen botërore. Në këtë lexim, koka e ngritur e evzonit bëhet “O”-ja e krenarisë, pushkët e kryqëzuara formojnë “X”-in e qëndresës dhe loti i zi në fez – “I”-në e dhimbjes e kujtesës. Simbolika e evzonit shkon përtej uniformës.
Në qëndrimin e tij, ka një filozofi të tërë të nënshtrimit ndaj detyrës dhe respektit ndaj historisë.Evzoni nuk reagon, nuk shikon rreth, nuk i shmanget as shiut, as vapës, as turmës.
Ky vetëkontroll i plotë është shprehja më e pastër e disiplinës stoike, që rrjedh nga ideali i lashtë grek për masë, dinjitet dhe ekuilibër. Në këtë kuptim, evzoni është figura e qytetarit ideal, i heshtur, i përkushtuar, i qëndrueshëm. Ai nuk flet, por përfaqëson, nuk kërkon vëmendje por mishëron respektin ndaj diçkaje më të madhe se vetja, ndaj atdheut, kujtesës, sakrificës. Në kohët moderne, kur kombet shpesh humbasin kontaktin me rrënjët e tyre, evzonët mbeten një kujtesë e përhershme e identitetit grek.Ata janë prania e gjallë e historisë në zemër të kryeqytetit, një urë që lidh të kaluarën me të tashmen prandaj ndërrimi i rojeve nuk është vetëm një atraksion turistik por një akt përkujtimor i përditshëm, një mënyrë që Greqia të thotë çdo orë “ Ne nuk harrojmë.” Në heshtjen e tyre, evzonët ruajnë më shumë se një monument, ata
ruajnë dinjitetin e një populli, nderimin për ata që u flijuan dhe kujtesën e një fjale që vazhdon të kumbojë ndër shekuj “ΟΧΙ.”
Qëndrimi i evzonëve që formon fjalën historike “JO” dhe kujtesa e një kombi
Ndaje
