Në historinë e njerëzimit, ka data që ndriçojnë më shumë se të tjerat jo për shkak të fitoreve ushtarake apo pushtimeve politike, por sepse shënojnë fitore të shpirtit mbi ndarjen.
Një nga këto data është 27 tetori 1986, dita kur në qytetin e qetë të Asizit, vendlindja e Shën Françeskut, Papa Gjon Pali II thirri për herë të parë në histori përfaqësues të të gjitha feve të botës që të luteshin së bashku për paqe.
Në atë mëngjes vjeshte, Asizi u kthye në një mozaik të gjallë të besimeve, kristianë, myslimanë, hebrenj, budistë, hinduistë, sikë, shintoistë, të gjithë në heshtje dhe në përulësi, përpara Zotit, secili në gjuhën e tij, por me të njëjtën kërkesë, paqen. Ishte një pamje që bota nuk e kishte parë kurrë më parë dhe ishte më shumë se një simbol. Ishte një akt guximi shpirtëror, një thirrje që do të mbetej për dekada si “fryma e Asizit”. Papa Gjon Pali II e kuptoi diçka që bota politike shpesh harron se paqja nuk është rezultat i traktateve por i zemrave që pranojnë njëra-tjetrën. Ai besonte se “asnjë lutje e sinqertë nuk është e kotë” dhe se Zoti dëgjon çdo njeri që e kërkon me paqe në shpirt, pavarësisht nga gjuha, riti apo emri që i jep Hyjnisë. Asizi i vitit 1986 ishte një moment profetik. Atje nuk u fol për aleanca por për mirëkuptim, nuk u kërkua fitore por falje. Papa nuk kërkoi të unifikonte fetë por të unifikonte dëshirën për paqe, duke e kthyer fenë në një forcë që bashkon, jo ndan. Sot, 34 vjet më vonë, kjo thirrje tingëllon më e nevojshme se kurrë. Luftërat, urrejtja dhe frika janë sërish të pranishme, ndonjëherë të maskuara, ndonjëherë të hapura. Por kujtimi i Asizit na kujton se njeriu nuk është i pafuqishëm, se lutja, përulësia dhe dialogu janë ende armët më të forta kundër dhunës. Në një botë që flet gjithnjë e më me zë të lartë, kujtojmë qetësinë e Asizit, atë ditë kur zërat e ndryshëm nuk u ndeshën, por u përkulën përpara Zotit, për të kërkuar të njëjtën dhuratë, paqen. “Paqja nuk është një fjalë që thuhet, por një udhëtim që bëhet me të tjerët,” do të shkruante më vonë një nga pjesëmarrësit.Dhe Asizi mbetet kujtesa e gjallë e asaj që mund të ndodhë, kur njerëzimi vendos të lutet bashkë dhe jo të gjykojë njëri-tjetrin.
Ndaje
