Herakliti. Flaka e përhershme dhe ritmi i botës.

Ndaje

Në mes të shekujve të lashtë, një mendimtar nga Efesi, i njohur si Herakliti, nisi të shihte botën me sy tjetër. Ai nuk priste që gjërat të qëndronin të pandryshueshme, për të, universi ishte një rrjedhë e përhershme, ku çdo çast merr formë dhe zhduket, ku çdo fillim është i lidhur me një mbarim dhe çdo mbarim përgatit një fillim të ri. “Nuk mund të hysh dy herë në të njëjtin lumë,” thoshte ai, duke na kujtuar se çdo gjë ndryshon, çdo çast rrjedh dhe asgjë nuk mund të mbahet e ngrirë në kohë. Herakliti jetoi në një kohë të trazuar, në një qytet që lulëzonte dhe u rrokullis si një lumë i rrëmbyeshëm midis luftërave, rivaliteteve dhe krizave të pandërprera politike. Ai nuk kërkonte të ngrihej mbi botën me filozofi të lartë abstrakte, ai donte të kuptonte natyrën e saj të vërtetë, rrjedhën e pandalshme të jetës dhe tensionin mes kundërshtive që e formojnë atë. Për të, ditë dhe natë, dritë dhe errësirë, nxehtësi dhe ftohtësi, jetët dhe vdekjet nuk ishin armiq por bashkëpunëtorë të pandashëm në një ritëm të madh dhe të përhershëm. Koncepti i “luftës së të kundërtave” është kyç për të kuptuar mendimin e Heraklitit. Jo çdo përplasje është shkatërrimtare,shumë prej tyre janë burim i gjallërisë, rritjes dhe harmonisë. Një qytetar që nuk përballet me kontradiktat e brendshme dhe të jashtme nuk kupton thelbin e jetës dhe ngec në rutinë, ndërsa një shoqëri që refuzon ndryshimin dhe sfidat mbetet e shtrënguar në paragjykime dhe pabarazi. Herakliti përdorte natyrën si shembull të vazhdueshëm, lumenjtë që rrjedhin, flakët që digjen, stinët që ndryshojnë dhe qytetërimet që lindin dhe bien. Çdo moment është unik, asnjë nuk është identik me të mëparshmin. Madje edhe njeriu, nga çasti në çast, nuk është i njëjti, ai ndryshon, rrjedh, përballet me kontradiktat e tij dhe mëson prej tyre. Për filozofin e lashtë, të kuptuarit e ndryshimit dhe pranimi i kundërshtive është një shkencë e mençurisë dhe baza e moralit personal. Mendimi i tij ka një përmbajtje të fuqishme edhe për jetën moderne. Në një botë që duket e ngurtësuar nga rregulla, procedura dhe rutina, Herakliti na kujton se tensioni dhe kontrastet nuk janë pengesa por forca krijuese. Konfliktet, sfidat, ndryshimet në punë, dashuri dhe marrëdhënie janë pjesë e rrjedhës që na ndihmon të kuptojmë vetveten dhe botën. Çdo përvojë, çdo humbje dhe çdo fitore janë pjesë e të njëjtës rrjedhë të madhe e cila formëson identitetin tonë dhe kuptimin e ekzistencës. Ndërsa shumë filozofë kërkonin njohuri të qëndrueshme dhe absolute, Herakliti e kuptonte se vetëm përmes rrjedhës dhe tensionit mund të perceptohet e vërteta e botës. Ai nuk ofron përgjigje të thjeshta, ai ofron syze për të parë gjithçka në lëvizje, për të kuptuar ritmin dhe energjinë që digjet e transformohet në çdo çast. Ai na mëson të jemi të guximshëm, të përqafojmë ndryshimin dhe kontrastet dhe të gjejmë vendin tonë në këtë univers që nuk qëndron kurrë i qetë. Herakliti nuk është thjesht një filozof i kohëve të lashta. Ai është një udhërrëfyes i përhershëm për njerëzit e çdo kohe, për ata që kërkojnë të kuptojnë botën jo si dëshirojnë të jetë por siç është vërtet. Flaka e përhershme që ai përshkruan është jo vetëm energjia e natyrës por edhe drita që mund të udhëheq shpirtin njerëzor përmes errësirës dhe paqëndrueshmërisë së jetës.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit