Eva, artistja që pikturon me lulet e çdo stine.

Ndaje

Në një cep të qetë të botës, larg zhurmës së qyteteve, ku era fëshfërin si një melodi e harruar dhe drita e diellit luan me hijet e pemëve, jeton Eva. Ajo buzëqesh me sytë që ndriçojnë si mëngjese pranvere dhe me duar që prekin petalet sikur të ishin kujtime delikate. Në atelienë e saj të vogël, mbushur me aroma, ngjyra dhe heshtje, Eva nuk pikturon me bojë por me jetën vetë. Petalet janë penelat e saj. Gjethet janë fjalët që ajo s’ka nevojë t’i thotë dhe kërcejtë, vijat e shpresës që lidhin çdo copëz natyre në një mozaik drite e ndjesie. Në duart e saj, bozhuret rilindin. Margaritat kthehen në rreze gëzimi, trëndafilat marrin frymë si fytyra njerëzish të dashur ndërsa manushaqet flasin me ngjyrat e përulësisë. Në çdo krijim të saj, Eva i jep natyrës një jetë të dytë, më të qetë, më të butë, më poetike. Ajo ndërton çifte të kapur për dore me degë të holla si gishta të përqafuar, gra me kapele të lehta si ëndrra, pamje qyteti që duken si kujtime në mjegull, përralla të vogla që duken sikur marrin frymë nën një dritë të ngrohtë. Në një petal të vetëm, ajo sheh universin, një kujtesë se bukuria nuk është gjithmonë në madhështi por në detaje, në të papriturën, në thjeshtësinë që ndriçon pa zhurmë. Eva nuk punon me nxitim por me durimin e natyrës, ritmin e ditëve që nuk nxitojnë, qetësinë e dikujt që e di se çdo petal duhet të vendoset me frymë e jo me dorë. Në sytë e saj ndriçon një lloj lumturie që nuk lidhet me suksesin por me dashurinë për krijimin sepse ajo nuk kërkon duartrokitje por kuptim. Në botën e saj, çdo gjë merr frymë, edhe heshtja, edhe drita, edhe koha. Kush e sheh punën e saj, nuk kalon dot pa ndaluar.
Ka diçka që të tërheq, jo vetëm për ngjyrat apo formën por për qetësinë që buron prej saj , një qetësi që të kujton gjërat e mira, të buta, të harruara. Në to ka diçka njerëzore por edhe hyjnore, një lidhje që vetëm shpirtrat e ndjeshëm mund ta ndjejnë, lidhjen mes tokës dhe shpirtit, mes njeriut dhe natyrës që e krijon e e ushqen. Eva është një ftesë për t’u ndalur e për të parë bukurinë atje ku të tjerët shohin vetëm një petal të rënë, për të dëgjuar zërin e heshtjes që flet më shumë se çdo fjalë. Në një kohë ku gjithçka kërkon zhurmë për t’u dëgjuar, ajo zgjedh të flasë me qetësi, me finesë, me dashuri sepse ajo e di se bukuritë e vërteta nuk bërtasin por lulëzojnë në heshtje. Në çdo petal që vendos, në çdo gjethe që e kthen në figurë, ajo na kujton se arti i vërtetë nuk lind nga përsosmëria por nga ndjeshmëria, nga dashuria për gjërat e vogla.
Eva nuk krijon thjesht vepra arti, ajo mbjell ndjenja, frymë, kujtime dhe ato rriten, lulëzojnë, jetojnë më gjatë se lulet vetë. Në fund, ajo vetë duket si një nga veprat e saj, madhështore, e bukur, e qeshur, e butë, e ndjeshme, e gjallë në çdo stinë.Një njeri që e kthen natyrën në poezi dhe e bën jetën më të bukur, petal pas petali.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit