Liderë qesharakë

Ndaje

Shtanga. Jo nga ndonjë fjalim brilant që më tronditi, as nga ndonjë ide që më shtyu të reflektoj. Shtanga nga një deputete që, për të disatën herë, masakroi gjuhën shqipe në emër të përfaqësimit, me një artikulim sakator që nuk lë vend as për ironi, as për keqardhje por vetëm për turp dhe jo për të, por për ne që duhet ta dëgjojmë sepse nuk ishte hera e parë dhe nuk është as rasti i vetëm. Kemi ndërtuar një sistem përfaqësimi ku fjala është kthyer në armë pa kontroll, në mjegull për të fshehur boshllëkun, në oratori boshe që nuk mbart as ide, as përgjegjësi, as ndjeshmëri. Flitet pa menduar, flitet pa ditur, flitet për të ekzistuar. Dhe në fund, gjithçka që mbetet është një zhurmë që rëndon mbi publikun, si një dënim kolektiv për mëkatet që nuk i kemi bërë. Çfarë modeli është ky? Një përfaqësim që nuk përfaqëson, por ekspozon,ekspozon nivelin e ulët të edukimit politik, të kapaciteteve gjuhësore, të mendimit të strukturuar. Ekspozon mënyrën se si politika e sotme po zëvendëson përmbajtjen me vetëbesim të zbrazët dhe heshtjen e vlefshme me fjalë të tepërta, të pakuptimta, shpesh fyese për inteligjencën tonë. Por çudia nuk mbaron në Kuvend sepse kjo gjendje ka zbritur më thellë. E shohim tek drejtuesit e institucioneve lokale, tek anëtarët e këshillave bashkiakë, tek zyrtarët që mbajnë poste të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Pavarësisht logove dhe titujve, ajo që bie në sy është një varfëri e theksuar kulturore dhe gjuhësore, një mungesë tronditëse e përgatitjes, një boshllëk që mundohet të mbulohet me bindje partiake, me slogane të trashëguara dhe arrogancë boshe. Në vend që të kemi qytetarë të aftë që futen në politikë, kemi funksionarë të paaftë që futen nëpër lista dhe që më pas vendosin për urbanistikën, arsimin, kulturën, mjedisin ndërkohë që nuk janë në gjendje të formulojnë një mendim e jo më një vizion. Ky model përfaqësimi i imponuar nga militantizmi dhe jo nga merita ka krijuar një piramidë të deformuar, ku posti politik është kthyer në shpërblim besnikërie, jo në mision shërbimi dhe si pasojë, qytetari i zakonshëm, që kërkon dinjitet në komunikim dhe integritet në përfaqësim, përballet çdo ditë me personazhe që më shumë i shokojnë, sesa i përfaqësojnë. Në këtë realitet, është luks të kesh përfaqësues që flasin qartë, që mendojnë me thellësi, që nuk e përdorin mikrofonin për të bërë show por për të ndërtuar besim. Luks i rrallë, që sa vjen e bëhet më i pazakontë e ndërsa mediat rrotullojnë statuse e batuta, askush nuk e ngre zërin për problemin real,varfërinë intelektuale që po zë vendin e kompetencës. E çfarë mund t’u thuhet atyre që flasin kështu? Njihni veten. Njihni veten o njerëz, sepse duket qartë që nuk e njihni. Nuk e njihni nivelin tuaj, nuk e njihni peshën e fjalës që nxirrni, nuk e njihni turpin që na lini pas sa herë flisni në emër të një populli që, në thelb, meriton më shumë. Sepse kur një deputet shfaqet në parlament dhe nuk është në gjendje të formulojë një fjali të thjeshtë, pa ngatërruar vetveten dhe shqipen njëkohësisht, nuk është thjesht gafë apo emocion skene por dëshmi, simptomë e një kulture që ka vendosur t’i japë përparësi bindjes ndaj partisë dhe jo zotërimit të mendjes dhe kjo nuk është vetëm problem i atyre që flasin por problem i të gjithëve ne që i kemi pranuar. Mos vallë po bëhet normë? Kjo është pikërisht pyetja më shqetësuese. Sepse kur paaftësia gjuhësore, ngërçi mendor dhe arroganca në padije nuk trondisin më askënd, atëherë po , po bëhen normë. Po bëhet normale të dëgjosh përfaqësues që flasin pa menduar, që shajnë në vend që të argumentojnë, që përdorin fjalë si të ishin gurë për t’u hedhur dhe jo ura për t’u ndërtuar. Po bëhet normale të kesh një parlament ku fjalët shpërdorohen dhe mendimi mungon, ku artikulimi është mishmash mes shfaqjes së rastit dhe nënkulturës televizive. Po bëhet normale që postet e larta të mbushen me njerëz që nuk përballojnë dot një fjali të ndërtuar e jo më një ide të thellë. Dhe kur mungesa e thellësisë nis të duartrokitet si sinqeritet dhe varfëria gjuhësore etiketohet si popullore atëherë po,jemi përballë një rreziku të madh kulturor dhe institucional. Sepse kur padija ngjitet në podium, dija detyrohet të ulet në heshtje. Në një shoqëri normale, përfaqësuesit e popullit janë modeli që frymëzon. Por nëse “edhe ajo është deputete, pse jo unë?” është bërë normë , atëherë standardi ka rënë në tokë dhe është shkelur pa asnjë ndjenjë faji. Po, është bërë normë. Dhe kjo është ajo që duhet të na trembë më shumë se çdo fjalim i keq.Nëse vazhdojmë kështu, politika bëhet karikaturë dhe përfaqësuesit qesharakë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit