Ka vepra që lexohen një herë dhe harrohen. Ka të tjera që lexohen dhe mbeten si një gur në xhep të rëndojnë, të kujtojnë, të ndjekin nëpër kohë dhe “ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një nga ato që nuk lexohet vetëm për të qeshur. Lexohet që të mos harrojmë sa lehtë servilizmi maskohet si zgjidhje, sa bukur fjalët e mëdha mund të fshehin boshllëkun dhe sa shumë Zylosh kemi toleruar dhe madje duartrokitur. Shoku Zylo, i ndershmi, i binduri, i kotëshkëlqyeshmi nuk është thjesht një personazh i trilluar por një arketip shqiptar i pavdekshëm. Një burokrat me fjalor të fryrë dhe mendje të rrudhur. Një shef që flet për “strategjinë e thellë të përmbajtjes” por nuk ka as ide, as thellësi, as përmbajtje. Sot, kur përkujtojmë Dritëro Agollin, më 13 tetor, kujtojmë jo vetëm poetin e ndjesisë dhe fjalës së drejtë por edhe mjeshtrin e ironisë, që me një roman të vetëm na la një pasqyrë për shoqërinë tonë. Dhe çfarë pasqyre! Në vend të reflektimit, ne ende qeshim me Zylon por qeshim nga afër sepse Zylot nuk ikën me regjimet. Ata përshtaten, evoluojnë, marrin emra të rinj dhe tituj modernë. Zylo i sotëm nuk flet më për revolucione letrare por për reforma dixhitale. Nuk shkruan më traktate me Vangjelin por harton strategji impakti. Ka diplomë të nivelit të lartë dhe është ekspert për gjithçka që tingëllon mirë e bukur por s’ka thelb. Nëse më parë Zylo mendonte se gënjeshtra është në shërbim të Partisë, sot mendon se është në shërbim të “rritjes së perceptimit të vlerave”. Por sado kohë të kalojë, fjalët e Dritëroit janë më të freskëta se kurrë sepse nuk janë vetëm për të kaluarën por për të tashmen. Janë për ne. Në çdo zyrë, në çdo institucion, në çdo fjalim që zgjat shumë e s’thotë asgjë, Shoku Zylo jeton. Ai ngre supet kur s’ka përgjigje por buzëqesh si profesionist i bindur kur e zë eprori në gabim. Ai e do “kolektivin” për sa kohë e voton në vendin e parë. Ai nuk kërkon të dijë por të duket se di. Dhe Vangjeli? Ai është ende aty. Naiv, besnik, i përulur. Sot, me laptop në dorë, në pritje të një promovimi që nuk do vijë kurrë. “ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nuk është thjesht satirë por një alarm i butë që tingëllon si humor ndaj, për aq kohë sa do të ketë njerëz që flasin shumë për të fshehur asgjënë, Shoku Zylo do të jetojë gjatë dhe ne mund të zgjedhim të mos jemi si ai.
