Një ëndërr në sirtar dhe një mbret në katrorët bardhë e zi

Ndaje

Kam pasur gjithmonë një dëshirë të fshehtë, të luaj shah bukur, të kem durimin e mbretit, hijeshinë e mbretëreshës, guximin e kalorësit dhe të kuptoj gjuhën e heshtur të kutive bardhë e zi. Por kjo ëndërr mbeti në sirtar e ndërsa unë mendoj përherë për të, djemtë e mi e bënë realitet. Më pëlqen aq shumë kur i shoh të luajnë. Në fillim nga kurioziteti ndërsa tani me pasion. I vëzhgoj sesi u ndrijnë sytë kur “krijojnë kurth” e sesi festojnë një lëvizje të zgjuar apo sesi mësojnë të përballen me humbjen pa e dramatizuar. Dhe unë, prapa tyre, lumtur por dhe e përhumbur, ndonjëherë ndjej pak zili. Një zili të ëmbël që më nxit të them me vete, pse jo edhe unë? Në fakt shahu nuk ka moshë por vetëm mendje të gatshme dhe është e vërtetë që nuk e mësova kurrë në kohë fëmijërie. Jo sepse nuk doja por sepse nuk ma tregoi njeri, ndoshta ngaqë konsiderohej lojë për djemtë, se di. Dhe në atë kohë nuk kishte internet, nuk kishte video “si të luash shah për fillestarë”, nuk kishte klube afër shtëpisë madje as nxitje dhe orientim në shkolla. Por sot është ndryshe. Sot, në çdo telefon apo ekran mund të hapësh një faqe, një video, një aplikacion dhe t’i japësh vetes një mundësi të dytë. Sot, shahu nuk është më vetëm për gjeni apo për meshkuj të përqendruar. Sot është për të gjithë edhe për një nënë që ka një ëndërr në sirtar dhe dy djem që i japin shtysën për ta mësuar sa më mirë. Dhe sinqerisht, më shumë se teknika, shahu më ka mësuar një gjë tjetër, respektin për mendimin e ngadaltë, për durimin, për lëvizjen që nuk bëhet me vrull por me mendim. Dhe kjo është një filozofi që më mungon shpesh në ritmin e jetës që bëjmë. A e dinit se ka një legjendë të bukur për shpikësin e shahut? Ai ia dhuroi këtë lojë një mbreti indian. Mbreti u mrekullua dhe i tha: “Kërko çfarë të duash si shpërblim. Dhe shpikesi kërkoi diçka që dukej modeste, një kokërr orizi në kutinë e parë të shahut, dy në të dytën, katër në të tretën, dhe kështu me radhë duke dyfishuar në çdo kuti. Mbreti, i habitur nga kërkesa, pranoi menjëherë por sapo llogaritën shumën, doli që do t’i duhej të jepte më shumë se të gjithë orizin në planet! Sepse shahu është i tillë, të mëson se si çdo hap, sado i vogël, ka ndikim të madh në fund. Të mëson se si të mendosh përpara se si të humbasësh me dinjitet, se si të ndërtosh një strategji edhe kur ke pak. Ky shkrim nuk është për të treguar se jam bërë kampione sepse ende më ngatërrohen rolet, ndonjëherë harroj lëvizjet e lejuara por nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që nuk po e lë më pas. Ndaj nese keni një ëndërr që e keni lënë mënjanë si unë shahun mos e lini të plaket. Sidomos nëse keni fëmijë që jua kujton përditë çfarë bukurie ka në lojë, në durim, në sfidë. Sepse shahu nuk është vetëm një lojë e vjetër. Është një mënyrë për të jetuar më zgjuar. Dhe ndonjëherë duhet vetëm një hap drejt kutisë së parë që gjithçka të fillojë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit