Me vitet që kalojnë e njohin të gjithë letër-shkruesin e errësirës. Ja njohin tashmë edhe helmin që mbjell në heshtje me përkushtim, pa pushim dhe me ojna dashurie.Tani e njohin të gjithë jo sepse ka shkruar ndonjë vepër, jo sepse ka thënë ndonjë të vërtetë që ka tronditur botën, jo se ka patur ndonjë sukses të jashtëzakonshëm. Aspak. Kjo krijesë njihet tashmë nga të gjithë sepse është mjeshtër i një zhanri të vjetër por gjithmonë “në modë”, letrës anonime. Njësoj si parfumet pa emër, i ndjen që nga larg por nuk e di saktë çfarë përbërësish kimikë mbart vetëm se në këtë rast, nuk është parfum por helm i distiluar me dashuri. Ky është ai njeriu që kur sheh dikë të qeshë, fillon të shkruajë. Kur sheh një familje që mban duart shtrënguar ndizet si alarmi i zjarrit. Kur dikush arrin një gjë me meritë, i nxin faqen, jo të atij që fitoi, por të letrës anonime. Dhe s’e bën për nevojë, aspak. E bën për sport, për pasion, për shpirt. E përse të rri duarbosh kur mund të helmoj atmosferën? Nuk ka asgjë mangët, përkundrazi. Zoti e ka llastuar bollshëm . Ka përfituar gjithçka, nga kontribute , përfitime, përqafime ndoshta edhe ndonjë “poezi falënderimi” dhe në vend që ti shijojë e të rrijë qetë e pickon miza e zisë. E tërheq nata, errësira,letra, dhe i kthehet tastierës me të njëjtin përkushtim që dikur përdorej për të ndërtuar ideologji të mëdha, veçse tani për t’i prishur make up-in dikujt që guxon të buzëqeshë bukur e me shpirt. Letra anonime është si kafeja e mëngjesit për të, sepse pa të, nuk funksionon. Në një botë ku njerëzit luftojnë për të dalë nga hijet, krijesa ka zgjedhur ta blejë errësirën me kredi shumë vjecare.
Dhe po, është i qëndrueshëm, ka të njëjtin stil, të njëjtin tonalitet, të njëjtat fjalë që rrotullohen me po atë energji të çuditshme që të bën të thuash, “ s’ka si të jetë tjetërkush”. Aristoteli do kishte rishkruar “Etikën Nikomakease” nëse do ta njihte këtë njeri, “ Kapitulli i virtyteve të munguar me emra të përveçëm por letra anonime”. Dhe kur më pyesin po pse s’e ndalon kush, u përgjigjem me të njëjtën sarkazëm që meriton. Sepse kjo krijesë është një institucion më vete. Institucioni i fjalës që s’ka emër por ka helm dhe helmi s’ka nevojë për emër sepse vepron vetë. Deri kur? Deri kur të kuptojmë që gjërat që s’kanë emër nuk duhen lexuar, as marrë seriozisht, as mbajtur nëpër institucione. Duhet thjesht të vendosen aty ku e kanë vendin, në koshin e historisë së veglave të errëta që nuk ditën kurrë të jetojnë në dritë.
Ndaje
