Stoicizmi i Senekës dhe heshtja e shpirtit në kohët e frikës

Ndaje

Ka një lloj qetësie që nuk vjen nga paqja e brendshme por nga dorëzimi. Një qetësi që nuk ngjan me urtësinë e stoikëve por me heshtjen e frikësuar të njeriut modern. Jetojmë në një kohë ku njerëzit nuk përulen më përpara fatit siç bënin dikur stoikët por përpara sistemit, përpara frikës së humbjes, përpara syve që gjykojnë e gojëve që mund të të dëmtojnë. Dhe kështu, në vend që të jemi të urtë nga mençuria, jemi të nënshtruar nga pasiguria. Stoicizmi i lashtë ishte një art i brendshëm për të mos u tronditur nga ajo që nuk mund të ndryshojë, një filozofi e durimit që mbante dinjitetin gjallë në çdo rrethanë. Por sot, ky art është keqkuptuar. Njerëzit heshtin jo sepse kanë mësuar të përballojnë por sepse kanë mësuar të mos kundërshtojnë. Kemi kthyer durimin në frikë, përulësinë në strategji mbijetese dhe heshtjen në formë sigurie. Seneka do të na shihte sot dhe do të mendonte se, njeriu nuk është më stoik por i paralizuar. Në punë, në institucione, në shoqëri, njerëzit pranojnë çdo padrejtësi si një “ rregull loje” të pashkruar. Askush nuk flet, nuk ngrihet, sepse kush guxon të flasë, humbet gjithçka, vendin, statusin, mundësinë, rehatinë dhe kështu, për të mos humbur pak, pranojmë të humbasim gjithçka, përfshirë edhe dinjitetin. Epikteti, që dikur jetonte si skllav, kishte më shumë liri se shumë prej nesh sot. Ai thoshte se askush nuk mund të të robërojë shpirtin pa lejen tënde. Por në shekullin XXI, duket se e kemi dhënë këtë leje me nënshkrim. Ne i kemi dhënë dorëheqje lirisë, e kemi dorëzuar zërin tonë në këmbim të sigurisë dhe pastaj e quajmë këtë stoicizëm. Në fakt, ajo që po ndodh nuk është urtësi por frikë e rafinuar. Është një nënshtrim me maskën e mençurisë, një dorëzim i heshtur që e kemi veshur me kostumin e qetësisë shpirtërore. Ne nuk durojmë më si stoikë, ne durojmë si të frikësuar, që fshihen pas filozofisë për të mos pranuar dobësinë. E në këtë kohë të vështirë, kur çdo fjalë mun d të interpretohet si sulm dhe çdo qëndrim si rrezik, njerëzit zgjedhin rrugën më të sigurt,heshtjen. Por një shoqëri që hesht nga frika nuk është stoike por e dorëzuar dhe ndoshta, ky është dënimi ynë më i butë dhe më i rëndë njëkohësisht. Të jetojmë pa guxim dhe ta quajmë këtë mençuri.Në fund të fundit, stoiku i vërtetë nuk pranon fatin sepse ka frikë por sepse e ka tejkaluar, ndërsa ne e pranojmë sepse nuk dimë si ta ndryshojmë dhe ky është dallimi midis filozofisë dhe dështimit njerëzor.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit