Kur miku s’është shpirt binjak por strategji e mirë pozicionuar. Në një botë ku gjithçka blihet pse të mendojmë se miqësia është falas? Ne e romantizojmë idenë e mikut të vërtetë si një shpirt i afërt që na kupton pa fjalë por në realitet, shumë prej nesh e mbajnë miqësinë në një raft ku shkruhet qartë, “vetëm për përdorim social.” Është si një marrëveshje e heshtur mes dy njerëzish që i lidh interesi, jo afërsia, një aleancë e vogël për mbijetesë shoqërore. Në shoqërinë moderne, miku nuk është gjithmonë ai që na pëlqen por ai që na duhet dhe këtu nis loja e heshtur e interesit. Një njeri që s’e duron dot arrogancën e tjetrit, sërish e fton për kafe sepse “ka lidhje”. Një tjetër që s’është i bindur për moralin e mikut, sërish i buzëqesh sepse “mund të hapë ndonjë derë”. Është një miqësi me buzëqeshje plastike dhe logjikë tregu, investon, përfiton, tërhiqesh. E në këtë ekonomi të marrëdhënieve, simpatia është luks ndërsa interesi është valutë dhe njerëzit më të “shoqërueshëm” janë shpesh ata që dinë të llogarisin më mirë, kush vlen për karrierë, kush për imazh, kush për komoditet emocional. Dhe kjo s’është domosdoshmërisht e keqe por brutaliteti realist i një bote që mat gjithçka me dobi. Thomas Hobbes do ta quante këtë “ gjendje natyrore të njeriut” , një instinkt për të ruajtur veten edhe në marrëdhënie që duken të buta e njerëzore. Ndërsa në kulturën shqiptare, kjo formë miqësie ka qenë gjithmonë aty, vetëm se më e fshehtë. “ Kam një mik” është frazë që zëvendëson çdo procedurë, çdo meritë, çdo radhë. Por miqësia nuk është raport emocional por infrastrukturë shoqërore. Aty ku shteti dështon hyn miku,aty ku ligji mbaron, fillon numri i telefonit që ta rregullon. Dhe kështu, miku shndërrohet nga njeri i afërt në valutë pushteti. Por ky lloj funksionaliteti i skajshëm ka pasoja të padukshme , shpërfytyrimin e njeriut. Dhe kur afërsia bëhet llogari dhe dinjiteti zëvendësohet nga përfitimi, njeriu humbet konturet e tij të vërteta. Buzëqeshja kthehet në maskë, respekti në strategji dhe ndershmëria në pengesë. Fatkeqësisht kemi hyrë në një epokë ku dinjiteti nuk është më në modë, një fjalë që tingëllon si relike, si diçka e vjetër që pengon efikasitetin social. Të mos e shesësh veten, sot shpesh shihet si mungesë zgjuarsie. E në këtë terren të rrëshqitshëm, miqësia e interesit është simptomë dhe jo sëmundje. Ajo na tregon se njeriu modern nuk kërkon më afërsi shpirtërore por marrëdhënie të menaxhueshme, të sigurta, të dobishme. Siç do të thoshte dhe Nice se në marrëdhëniet tona ne nuk kërkojmë dashuri por një pasqyrë që na tregon një version më të favorshëm të vetes. Miku, pra, s’është më njeri por reflektim social, akses, strategji. E më pas Machiavelli do ta justifikonte këtë si një zgjuarsi politike që më mirë të kesh një mik të dobishëm sesa një mik të sinqertë. Por ajo që humbet në këtë tregti është dinjiteti, ai përbërës i padukshëm që e bën njeriun njeri edhe kur s’ka asgjë për të fituar. Dinjiteti është refuzimi për t’u kthyer në mjet. Është aftësia për të thënë “jo” kur gjithçka rrotullohet rreth “po”-së që sjell përfitim. Por kjo “jo” është bërë luks moral, një gjest që pak e guxojnë sepse nuk sjell fitim, klikime, apo ndikim. Në fund të fundit, miqësia e interesit është një pasqyrë e qartë e kohës sonë, e asaj që ka zëvendësuar ndjenjën me funksionin dhe respektin me nevojën. Por ndoshta, pikërisht kur gjithçka është bërë e llogaritur, dinjiteti mbetet akti më revolucionar që njeriu mund të bëjë , sepse është i vetmi që s’ka çmim.
