Të jesh i lirë si Henry Miller, në një botë që do’ të të ketë nën kontroll

Ndaje

Në kohën kur Henry Miller shkruante me zjarrin e një shpirti që refuzonte të nënshtrohej, bota e quante të çmendur. Ishte tepër i hapur, tepër seksual, tepër filozof, tepër vetjak dhe pikërisht për këtë arsye, i rrezikshëm për një rend shoqëror që kërkonte rregull, moral të rremë dhe bindje. Por në të vërtetë, Miller nuk ishte i çmendur. Ishte vetëm i lirë dhe në çdo epokë, njeriu i lirë ngjan me një të çmendur sepse ai nuk pajtohet me hipokrizinë kolektive. Sot, gati një shekull më vonë, bota ka ndryshuar pamje por jo thelb. Sot nuk digjen më librat si “Tropiku i Gaforres” por digjen mendjet e ndjeshme në heshtje. Në një shoqëri të dominuar nga rrjetet sociale, zhurmë pa kuptim, përfaqësim pa përmbajtje, një njeri që refuzon të marrë pjesë në këtë teatër konsiderohet përsëri i çuditshëm, i mbyllur, i vështirë për t’u kuptuar. Henry Miller do të kishte heshtur sot, jo nga frika por nga neveria. Ai do të kishte ndalur televizorin, do të kishte mbyllur lajmet, do të kishte refuzuar debatet boshe, “story”-t e rreme, fjalimet pakrye. Ai do të kishte zgjedhur të jetojë dhe jo të shfaqet. E megjithatë, sa prej nesh guxojnë të jetojnë si ai? Sa prej nesh guxojnë të jenë “të mërzitshëm”, “të heshtur”, “jashtë loje” thjesht për të ruajtur paqen, për të mos tradhtuar veten në emër të pëlqyeshmërisë kolektive? Sepse të jetosh si Henry Miller nuk është vetëm zgjedhje stilistike por zgjedhje jetike. Të mos djegësh veten për të ndriçuar botën e dikujt tjetër që nuk çmon dritën. Të mos harxhosh energjinë me ata që nuk dëgjojnë, nuk kuptojnë, nuk duan të kuptojnë. E pra, Henry Miller është më aktual sot se kurrë. Sepse në dukje mund të jemi të lidhur me njëri tjetrin por jemi më të zbrazët, më të impenjuar por më të palumtur, më të ekspozuar por më të panjohur për veten.Dhe ndoshta, kur gjithçka të bëhet shumë zhurmë, shumë baltë , shumë lodhje, ilaçi më i mirë është ai që Miller na la si testament. Të heshtësh, të tërhiqesh dhe të mos kërkosh më të kuptohesh.Por dhe të kujtosh se liria nuk është privilegj por një akt guximi. Sepse ai që zgjedh paqen e tij nuk është i humbur por i shpëtuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit