Buzëkuqi,shkëlqimi i vogël që mbart historinë e madhe të një gruaje

Ndaje

Ka diçka pothuaj magjike në mënyrën se si një grua vendos buzëkuqin. Është një gjest i thjeshtë por i mbushur me simbolikë, me ndjenjë, me kujtesë. Mund të jetë mëngjes herët ose mbrëmje vonë para se të shkosh diku, por ai moment i vogël, kur zbukuron buzët me ngjyrën tënde të preferuar është një lloj riti personal, një shenjë e vogël rezistence, elegance dhe vetëdashurie. E kam dashur gjithmonë buzëkuqin jo vetëm si ngjyrë por si ndjesi. Eshtë ai detaj i pandashëm që më shoqëron në çantë, në ditë me diell, netë me shi, në ditë feste apo në momente kur thjesht dua të ndjej veten pak më mirë. Sepse buzëkuqi për mua nuk është luks por kujdes, dritë për fytyrën dhe për shpirtin, një terapi e ëmbël relaksi. Historia e buzëkuqit është po aq e bukur sa vetë ky aksesor i vogël. Thuhet se janë egjiptianët e lashtë që për herë të parë e krijuan përmes pigmentesh të nxjerra nga bimë, insekte dhe minerale. Kleopatra e vendoste përpara pasqyrës së saj të artë si një simbol pushteti dhe bukurie. Ndërsa në Mesjetë, buzëkuqi u konsiderua i rrezikshëm madje herezi. Gratë që e vendosnin shpesh paragjykoheshin. Por buzëkuqi mbijetoi dhe me kalimin e kohës u kthye në një shenjë emancipimi. Në vitet ‘40, në kohë lufte dhe mungesash, gratë nuk hoqën dorë nga magjia e saj . Madje ishte mënyra e tyre për të treguar se, edhe mes rrënojave, ato ishin ende gra të forta, të bukura dhe të vendosura të jetojnë me dinjitet. Ndërsa në Shqipërinë e para viteve ‘90, buzëkuqi ishte privilegj, sigurisht jo i çdo dite. Vajzat e vendosnin për herë të parë në ditën e martesës , një shenjë e fillimit të një etape të re, një nder dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Asokohe Buzëkuqi nuk ishte vetëm ngjyrë por dhe status. Ndërsa në ditët e sotme ai është më i përhapur por nuk e ka humbur forcën e tij magjike. Kush është ajo grua që nuk ndriçon sapo vendos buzëkuqin edhe kur ka veshur thjesht një palë xhinse dhe një bluzë të bardhë? Nuk ka rëndësi sa kushton fustani, nuk ka rëndësi marka e çantës por një buzëkuq i vendosur me kujdes i jep fytyrës një dritë të veçantë , dritën e vetëbesimit. Për mua, buzëkuqi është simbol i shumë grave. Ai nuk pyet për orë, për ditë apo për arsyet e botës. Ai vendoset për të gjitha rastet, për intervistën e parë të punës, për një takim të rëndësishëm, për një darkë familjare apo për një kafe me veten.Sepse në buzëkuq ka më shumë sesa bukuri. Ka histori, ndjenjë, kujtim, zonjëri. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse në çantën e çdo gruaje, mes gjithçkaje tjetër ndodhet gjithmonë buzëkuqi i saj i preferuar.Një prekje elegance, një grimcë force, një kujtesë e heshtur se edhe në ditët më të zakonshme ajo zgjedh të jetë e vecantë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit