Shën Sofia, ne vendin ku lutja takon madhështinë

Ndaje

Ka disa vende në botë që nuk vizitohen por thjesht përjetohen. Vende ku ndërsa ecën nuk dëgjon vetëm hapat e tu por edhe jehonën e shekujve dhe nje prej tyre është Shën Sofia, në zemër të Stambollit, jo vetëm një mrekulli arkitekturore por dhe një tempull i shenjtë ku lutja, historia dhe shpirti njerëzor takohen në mënyrën më të thellë dhe më universale. Sot, në ditën e Shën Sofisë është e pamundur të mos ndalosh për një çast të reflektosh per këtë monument që ka përballuar kohën, pushtimet, ndryshimet e epokave dhe të besimeve por që mbi te gjitha ka ruajtur një fuqi të brendshme që sfidon harresën. E pra, Shën Sofia nuk është vetëm një ndërtesë por zemra e një qytetërimi që ka njohur lavdi, përplasje, ringritje dhe transformim. E ndërtuar fillimisht si një kishë madhështore nga perandori Justiniani në shekullin VI ajo u konsiderua si një nga kryeveprat më të mëdha të botës së lashtë. Biles thuhet se kur përfundoi ndërtimi, Justiniani tha me krenari “Solomon, të kam tejkaluar!” një thirrje jo vetëm për lavdinë njerëzore por për ndjenjën hyjnore që një vepër e tillë mund të ngjallë. Pas rënies së Kostandinopojës, Shën Sofia u shndërrua në xhami dhe për shekuj me radhë, zëri i ezanit u ngrit nga minaretë e saj. Me pas , me lindjen e Republikës Turke ajo u kthye në muze, një vend i përbashkët për të gjithë ata që kërkonin bukurinë, pa dallim feje a kombësie e vite me vone u kthye sërish në xhami. Historia e saj është historia e njeriut, një udhëtim i gjatë mes besimit, ndryshimeve dhe lutjes së përhershme.Kupola e saj, dikur më e madhja në botë, u shemb disa herë por gjithmonë u ringrit si simbol i qëndrueshmërisë dhe i shpresës. Mozaikët e krishterë, mbulesat islame, kaligrafitë dhe arkitektura bizantine bashkëjetojnë ende sot aty, pa zë, por me shumë fjalë. Kur vizitova Shën Sofinë për herë të parë nuk e dija se çfarë më priste. E kisha parë në filma , lexuar ne libra, në dokumentarë te ndryshem kisha ndjekur me kersheri historine e saj por asgjë nuk më kishte përgatitur për ndjesinë që të pushton kur qëndron poshtë kupolës së saj. Ishte një mesditë e qetë ndersa dritat e buta depërtonin përmes dritareve të larta dhe krijonin atë atmosferën që nuk mund ta përshkruash plotësisht me fjalë , një përzierje dritë-hijej, heshtje-zëri dhe tokë-qielli. U ula diku në një cep dhe ndjeva nevojën e brendshme për të bërë një lutje , një falënderim të qetë, të heshtur, për jetën, për familjen, për paqen që më pushtoi në atë çast. Ishte ajo lutje që nuk vjen me fjalë por me drithërimën e shpirtit dhe në atë hapësirë të shenjtë, ku kanë lënë gjurmë miliona këmbë, ndjeva se zëri im i brendshëm ishte pjesë e një kori të madh lutjesh që Shën Sofia i ruan, pa dallim feje apo kohe. Për besimtarët, ajo ka qenë gjithmonë më shumë se një vend adhurimi. Për perandorët, më shumë se një stoli e pushtetit. Për artistët, më shumë se një kryevepër. Ajo është pika ku toka dhe qielli duken më afër. Pika ku rrëfimi shpirtëror nuk njeh gjuhë apo kombësi por vetëm një gjendje, përulësi. Sot , në Ditën e Shën Sofisë, shumë sy janë kthyer nga ky monument që mbart në vete rrëfimet e të gjithë njerëzimit. Ndoshta edhe një lutje e thjeshtë e bërë nga larg, me mendje e me zemër, është mjaft. Sepse lutja që bëhet me zemër gjithmonë e gjen rrugën për në Shën Sofi. Aty ku ndodhen gurët që kanë parë gjithçka dhe ende mbajnë shpresën për më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë njerëzi. Shën Sofia është, në fund të fundit, një kujtesë, se përtej ndasive, përtej kohës dhe pushteteve, Zoti dëgjon kur njeriu lutet sinqerisht.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit