Në orët e filozofisë me gjimnazistët shpesh më pyesin se përse duhet filozofia. Dhe unë me buzëqeshje u them se filozofia nuk është për të gjetur përgjigje të shpejta por për të mësuar të bëjmë pyetjet e duhura. Për të kuptuar vlerat, për të ndërtuar virtytet, për të formuar njeriun përpara profesionit, përpara pushtetit, përpara çdo roli tjetër. Dhe sot më shumë se kurrë kjo pyetje është aktuale. A ka më vend për vlerat në jetën publike? A mund të kemi drejtues që udhëhiqen nga virtytet jo nga interesat? Kjo pyetje nuk është teorike por praktike, urgjente dhe aq më shumë qytetare sepse Vlora, qyteti ku nisi shteti shqiptar është përballë një zgjedhjeje të re dhe në vend që të pyesim kush do të jetë kryetar le të pyesim se kush duhet të jetë? Nëse do t’i referoheshim Aristotelit, do thoshim se qyteti ekziston për të mirën e përbashkët dhe drejtuesi i tij është njeriu me virtyt, me arsyetim të drejtë dhe shpirt të përmbajtur. Nëse do të shkonim te Kant-i, do të kërkonim një figurë që vepron me parimin se njeriu nuk është mjet por qëllim në vetvete dhe po të dëgjonim Konfucin, do të thoshim se drejtimi i qytetit është i suksesshëm vetëm kur drejton së pari vetveten me ndershmëri. Dhe të gjithë do të kishin të drejtë sepse qeverisja pa etikë është thjesht një maskë boshe. Ndaj mendoj se Vlora nuk kërkon pushtet por karakter dhe në një kohë ku drejtimi shpesh ngatërrohet me zhurmë dhe politika me performancë, Vlora ka nevojë për një kthesë të thellë jo drejt një emri të ri por drejt një figure me vlera. Një njeri që ka përmasë qytetare, që kupton rolin, jo thjesht titullin, që nuk e sheh qytetin si trampolinë politike por si një amanet që duhet mbrojtur. Një drejtues që e njeh ndershmërinë jo si slogan por si mënyrë jetese. A mund të kemi një të tillë? Kjo është pyetja jo retorike por thelbësore. A mundemi ne si qytetarë, si shoqëri, si brez që mëson filozofinë në shkolla, të kërkojmë një drejtim publik të bazuar mbi virtyt? A kemi guximin të mos e pranojmë më mesataren si normë? Të mos shpresojmë për më të mirin por ta kërkojmë, të këmbëngulim e ta formësojmë së bashku? Unë ende besoj që po. Sepse filozofia na mëson që nuk ka qytet të drejtë pa njerëz të drejtë.Dhe Vlora, më shumë se kushdo tjetër e meriton një njeri që e nderon qytetin jo me fjalë por me virtytin e tij.
