Kur ushqimi bëhet armiku ynë. Një thirrje për jetën e fëmijëve tanë

Ndaje

Çdo nënë e di atë ndjesinë që të merr frymën dhe të ndalon zemrën kur në kuzhinë përgatit ushqimin për fëmijët e saj dhe mendon me tmerr se cfare po vendos në stomakun e tyre? A është kjo domate apo ky frut apo kjo perime vërtet e sigurt? A po u jap atyre jetë apo helm? Më besoni, ky është ankthi që më ndjek mua çdo ditë dhe besoj çdo nëne në këtë vend. Një frikë e heshtur që s’mund ta ndaj as me fjalë sepse është tepër e madhe për t’u përshkruar por që shfaqet në çdo grimcë të ushqimit që prek, në çdo vakt që përgatit, në çdo moment që sheh fëmijët e saj dhe e kupton se jeta e tyre varet nga ajo që konsumojnë. Dhe këtë shqetësim e bëri të padurueshme lajmi i fundit për 5 mijë kilogramë pjeshkë të kthyer nga Kroacia për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit, një metal i rrezikshëm dhe helmues, që shkatërron shëndetin, trurin dhe zemrën. Pjeshkë që ne pa dijeninë tonë, mund t’i gjejmë nesër në treg, në tryezën tonë, në duart e fëmijëve tanë. E në këtë moment, ndjej një dhimbje të madhe por dhe një zemërim të thellë sepse kjo thirrje , për një ushqim të sigurt, për një kontroll real, për mbrojtje të jetës së fëmijëve tanë shkon përpjetë në vesh të shurdhër. Institucionet përherë heshtin, kontrollorët mungojnë dhe përgjegjësit shpërfillin ndërsa ne mbetemi vetëm me frikën dhe shqetësimin tonë të pafund. Në vend që të përqendrohemi te ato që kanë rëndësi të vërtetë, si siguria ushqimore, ne jemi të shpërqendruar me debate që nuk mbajnë dot peshën e jetës,celularët në shkolla, hapësirat publike, fasadat, riemërimet e administratës e të tjera si këto. Por për mua dhe për çdo nënë tjetër nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e fëmijëve tanë dhe e gjithë kjo politikë, gjithë kjo zhurmë, është boshësi përballë tmerrit të ushqimit të ndotur që po na vret ngadalë, pa na pyetur. Teksa po e shkruaj shqetësimin tim duke e publikuar këtu në profilin tim mendoj se në fund të ditës, pas gjithë kësaj , çfarë kemi ne nënat në dorë? Përveçse të lutemi me gjithë zemër që Zoti të na ruajë, të ngremë sytë nga qielli dhe të kërkojmë mbrojtjen e Tij për fëmijët tanë. Sepse në këtë sistem të thyer, ku përgjegjësit heshtin dhe kontrolli mungon ne jemi vetë ata që mbajmë barrën e një frike të madhe në shpirt. Por edhe në këtë pafuqi dashuria jonë për fëmijët është e fuqishme dhe e pakapërcyeshme e ndërsa kërkojmë drejtësi dhe siguri për ta, nuk do të ndalemi së luturi, së kërkuari dhe së mbrojturi jetën e tyre me çdo mënyrë që dimë. Sepse në fund të fundit, jeta e fëmijëve tanë është gjithçka që kemi. Dhe ndoshta, vetëm kjo lutje, kjo shpresë e përbashkët mund të na mbajë të forta në këtë betejë të heshtur. Sepse përpara cdo gjëje tjetër përpara cdo diskutimi apo zhurme politike qëndron vetëm jeta e fëmijëve tanë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit