A ke kohë për një kujtim? Dita Botërore e Fotografisë

Ndaje

Elona më kujtoi sot, në një postim mjaft interesant që është Dita Botërore e Fotografisë. Dhe më solli ndër mend gjithçka që kemi harruar në ngutjen e përditshmërisë. Miqtë e mi, Sa kohë keni pa shfletuar albumin e familjes suaj? Të shohësh me mall prindërit e tu kur ishin të rinj? Veten tënde të vogël me rroba festive, sepse do dilje “në fotografi”? Ato ditë kur kriheshim ndryshe dhe qeshnim ndryshe, sepse fotografia “do mbetej”. Ta kujtoj unë sot. Ta kujton kjo ditë. Gjej kohë. Shfleto kujtimet. Qëndro pak më gjatë në një foto të vjetër. Nuk është vetëm imazh , është copë zemre. Një fotografi flet më shumë se një mijë fjalë. E ndalon kohën. Të rikthen. Të përqafon. Të bën të qeshësh dhe të lotosh njëkohësisht. Është pasqyra më e sinqertë e jetës. Nuk gënjen. Është e gjallë, përjetësisht. Kjo ditë, 19 gusht, i kushtohet pikërisht saj , fotografisë. Në këtë datë, në vitin 1839, shpikësi francez Louis-Jacques-Mandé Daguerre prezantoi procesin dagerotip , një teknikë revolucionare që i hapi rrugë epokës moderne të kujtimeve të përjetshme. Që nga ai moment, fotografia ka evoluar nga pllakat metalike te filmi bardhë e zi, nga aparatet analogë që kërkonin durim e mjeshtëri, te celularët që mbajnë mijëra imazhe në xhepin tonë. Sot, të gjithë jemi “fotografë”. Dhe kjo është bukuria. Kujtimet nuk i përkasin më vetëm atyre me aparate profesionale. I përkasin të gjithëve. Por le të mos harrojmë, nuk ka asgjë më të çmuar se një foto e vjetër. Një portret i nonës me shallin mëndafsh. Një foto në plazh në kampin e pionerëve, një foto bardhë e zi nga koha e shkollës fillore me mësuese Evanthinë dhe gjithë shoqet e mia të dashura të fëmijërisë. Një dasmë në oborrin e shtëpisë së nona Tellës. Ato janë thesare emocionale. Në çdo shtëpi shqiptare ka një album të tillë. Të zverdhur, por të gjallë. Në dollap ose në kornizë, mbartin historinë tonë ndoshta më shumë se çdo tekst. Dikur, për të bërë një foto duhej përgatitje. Veshje të pastra, flokët e rregulluara, një lule ose një rreth në flokë, shumë emocion dhe shumë pak klikime. Sot bëjmë qindra në ditë, spontane, në çast por ndonjëherë, pa e ndalur mendjen. Pa e ndalur kohën. Dhe prapë, është mrekulli, mund të arkivojmë çdo çast , një buzëqeshje, një përqafim, një pamje që na pushton shpirtin. Ndaj sot, në Ditën Botërore të Fotografisë, ndalo pak. Merr një minutë. Merr frymë. Gjej një foto që të ngroh shpirtin. Dhe bëje këtë. Fali vetes tënde një kujtim. Një kthim pas. Një përqafim të heshtur me atë që ke qenë. Sepse në fund, nuk janë kullat, pasuritë apo like -t në rrjete sociale ato që mbeten. Janë fotografitë. Ato janë dëshmia më e pastër që kemi jetuar. Që kemi dashur. Që kemi qenë. Dhe do të jemi, për ata që do të vijnë. Sot është dita për t’u kthyer pas, jo për të “ ngecur “por për të kujtuar. Për të nderuar kujtesën. Për të falënderuar fotografitë sepse falë tyre, asgjë nuk është krejtësisht e shkuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit