“Plaku dhe Deti” Libri që nuk duhej t’i tregonim askujt por që na mësoi për jetën

Ndaje

Dikur, në bibliotekën tonë familjare, ky libër kishte një emër sekret, “ libri i verdhë” Nuk ishte vetëm për shkak të kopertinës së zverdhur nga vitet, por edhe për atë aurë ndalimi të butë që e shoqëronte. Ishte një nga ato libra që nuk duhej t’i thoshim askujt që e lexonim. Një mister i vogël i shtëpisë sonë. “Plaku dhe Deti” i Ernest Hemingway-t ishte një prej atyre titujve që babi na e rekomandonte në heshtje. Me zë të ulët, mes frazash të shkurtra dhe me një buzëqeshje komplotiste. “Lexojeni, por mos i tregoni njeriut,” na thoshte. Kur nona dhe mami e dëgjonin, vinte menjëherë ajo fraza klasike që na mbeti si shaka familjare, “Ule zërin, Nesti… se dhe muret kanë veshë!” Unë dhe Dana, me një kureshtje që vetëm fëmijët mund ta kenë, e lexonim me endje çdo faqe. Faqe që flisnin për një plak të vetmuar, një det të pafund dhe një peshk të madh, që u kthye në simbol të betejave personale që secili prej nesh do të kishte në jetë. Keli, vëllai ynë i vogël, asokohe ishte ende i vogël për ta kuptuar, por më vonë, edhe ai do të zbulonte këtë “thesar të ndaluar”. Në atë kohë, ndoshta nuk e kuptonim plotësisht filozofinë e fshehur mes rreshtave të Hemingway-t. Por sot, me më shumë vite mbi supe, e kuptoj më mirë se kurrë se jeta është një betejë. Jo gjithmonë fiton. Shpesh lodhesh, humbet, dhe si Santiago, kthehesh në breg me duar bosh, por me shpirtin plot dinjitet. Me kokën lart, edhe kur peshku i madh është zhdukur, ose është bërë pre e peshkaqenëve të jetës. Në botën e sotme, ku gjithçka matet me sukses të dukshëm, me numra, me arritje të fotografuara e postuara në rrjetet sociale, ky libër mbetet një udhërrëfyes i heshtur për vlerat e vërteta. Qëndrueshmëria, përpjekja, durimi dhe krenaria për atë që je edhe kur askush nuk të duartroket. “ Plaku dhe Deti” ishte ndoshta libri më i ndaluar i fëmijërisë sonë, por sot është një prej më të çmuarve në raftin e kujtimeve. Një kujtesë që babai na la me zë të ulët, por me mesazhe që do t’i dëgjojmë gjithmonë edhe kur muret s’kanë më veshë. Sot është ditëlindja e Ernest Hemingway-t. Lindi më 21 korrik 1899, por fjala e tij vazhdon të jetojë në raftet tona, në heshtjen e shtëpive, në leximet e ndaluara që na formuan. Ai na mësoi se njeriu nuk është bërë për të humbur dhe se dinjiteti nuk ka nevojë për duartrokitje. Gëzuar ditëlindjen, Ernest. Falë teje, edhe humbjet mund të ndihen si fitore.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit