Ndoshta ishte vetëm një çast i vogël, një cast i thjeshtë mëngjesi teksa po lexoja shkrimin e Albert Vatës mbi ditëlindjen e Gustav Klimt. Dicka më kujtoi dhe një heshtje më përmbushi shpirtin. Dielli sapo kishte rënë butë mbi murin përballë meje, ulur si zakonisht në kanapenë time të dashur duke pirë kafen e mëngjesit, aty ku rri e varur piktura që më flet çdo mëngjes. Dhe papritur, ndjeva një ngrohtësi të hollë që më përqafoi pa paralajmërim. Ditëlindja e Klimtit. Një datë e zakonshme për shumëkënd që ka interes për të ose jo. Por për mua? Një ditë që shndërrohet në një moment magjik, një kujtim i gjallë që më shoqëron gjithmonë. Një frymëmarrje e artit që më rrënjos thellë, pa fjalë, në thellësinë e shpirtit. Klimt nuk është thjesht një piktor i dashur për mua. Ai është një ndjenjë, një gjuhë pa zë. Në veprat e tij shpesh gjej veten sepse ai pikturon atë që unë ndiej, por që shpesh s’e di si ta them. Nëse vjen ndonjëherë në shtëpinë time, ajo është gjëja e parë që do të të përshëndesë. Jo vetëm një pikturë. Por një kujtim i çmuar, një përqafim i heshtur, një “të dua” i thënë me ngjyrë, pa nevojë për zë. Kush më njeh, edhe pse nuk jam piktore, e di fort mirë se Monè dhe Klimt janë dy emra që jetojnë brenda meje. Janë më shumë se artistë të preferuar, janë dritaret e shpirtit, janë mënyra si përjetoj bukurinë, qetësinë, heshtjen, dhe gjithë atë që ndiej. Ngjyrat e buta të Monè-së më japin një paqe që shpesh mungon në zhurmën e përditshme. Ndërsa arti i Klimtit më mbështjell me ngrohtësinë e një përqafimi të artë, të heshtur dhe të thellë si një fjalë që nuk ka nevojë të thuhet. Në bisedat e mia, këta dy artistë zënë një vend të veçantë. Janë pjesë e mënyrës si unë ndjej botën. Dhe ka vetëm një person që e ka kuptuar këtë, pa më kërkuar asnjëherë ta shpjegoj. Dana, motra ime e vogël. Ajo që ndjen çdo nevojë time, shpesh para se ta kuptoj unë vetë. Ajo që përkujdeset për çdo detaj me një dashuri të qetë, të heshtur, që rrjedh natyrshëm. Dana më dhuroi dhuratën më të bukur për 50-vjetorin tim, “Puthjen” e Klimtit, një krijim mjeshtëror i piktorit Engjell Dinë. Kur e hapa dhuratën, mbështjellë me aq finesë me letrën ngjyrë ari dhe kordhelen ngjyre vishje, një ngrohtësi më mbushi shpirtin. Ishte sikur gjithçka që jam , dashuria për artin, për thellësinë, për bukurinë, u lexua dhe u përqafua në atë dhuratë… nga ajo. Nga motra ime. Nga ajo që njeh zemrën time pa ma kërkuar. Tani, “Puthja” qëndron në murin përballë meje, në atë cep të shtëpisë ku nis çdo ditë. E artë. E qetë. E ndjeshme. Më flet çdo mëngjes për atë që ka vërtet rëndësi, për kujdesin, për momentet e vogla, për lidhjet që zgjaten përtej fjalëve. Gëzuar Ditëlindjen Gustav Klimt!
