Shumë zhurmë dhe mundësia e një shansi të dytë

Ndaje

Në këtë qytet, gjithçka ndodh me shumë zhurmë. Pastrohet me zhurmë. Shkarkohet me zhurmë. Turpërohet me zhurmë. Fotografohet me zhurmë. Por në fund… asgjë. Sepse Vlora ka vite që po përpiqet të rilindë jo me dinjitet, por me zhurmë. E teksa shkëlqejnë sheshet, fasadat dhe ndriçimi LED rreth bustit të Ismail Qemalit, në qoshet e errëta të qytetit era e urinës, pisllëku dhe dëshpërimi janë më të forta se çdo llambë dekorative. Të gjithë flasin edhe sot për “furtunën” e Edi Ramës në Vlorë. Për shkarkimin e 21 drejtorëve të bashkisë ditë më parë. Për pastrimin e hapësirave të zaptuara. Për aksionin që i ngjan një shfaqjeje të madhe me role të shpërndara mirë,dikush është i keqi, dikush viktima, dikush heroi që vjen nga Tirana për të vendosur drejtësi. Në qendër të kësaj shfaqjeje, një emër. Ermali. Një djalë që ndoshta nuk e ka ëndërruar kurrë këtë fund. Një djalë që mund të ketë gabuar, që mund të ketë heshtur shumë, që mund të jetë bërë pjesë e një sistemi që të gëlltit pa e kuptuar. Dhe këto ditë Ai është poshtëruar. Përpara qytetit të tij. Përpara Shqipërisë. Unë nuk e njoh Ermalin. Nuk e kam takuar kurrë. Por sot , teksa e shihja nga ballkoni i shtëpisë, ndjej më shumë keqardhje se zemërim. Sepse askush, as më i paafti, nuk zgjohet në mëngjes me dëshirën për t’u turpëruar publikisht. Dhe të themi të vërtetën. Problemi i Vlorës nuk është vetëm Ermali. Problemi është një kulturë e tërë që ka lejuar qytetin të degradojë çdo ditë pa asnjë ndëshkim. Problemi është një qytet ku mund të urinosh në Sheshin e Flamurit, të pështysh në trotuare, të hedhësh plehra nga ballkoni dhe të mos ndëshkohesh kurrë. Pse qytetari gjobitet për parkim të gabuar apo për rrip sigurimi, por jo për pështymën në rrugë, për urinimin në publik, për ndotjen e përditshme? Pse ky standard i dyfishtë? Pse mungojnë banjot publike? Pse mungon ligji dhe mbi të gjitha zbatimi i ligjit? Këto janë pyetje që nuk kanë nevojë për Kryeministrin. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë çdo ditë, jo vetëm kur vjen kamera. Kanë nevojë për qytetarë që kuptojnë se qyteti është i tyre dhe nuk është kazan i përbashkët. Po Ermali? A ka shans të dytë? Unë besoj që po. Por ky shans duhet të jetë edhe për dinjitetin e vetë statusit të kryebashkiakut. Duhet të jetë një shans për të ndërtuar një model të ri, pa komisione vetëverifikimi e punësimi klientelist. Pa pazare të heshtura, pa forume popullore, pa frymën e vjetër të frontit të lagjes. Ky qytet ka nevojë për një udhëheqje të ndershme, transparente dhe qytetare, jo për kukulla politike dhe as për dërrasa të përkohshme që mbulojnë gropat e sistemit. Po, ky është shansi i dytë. Një shans për ta ndërtuar një Vlorë me rregulla të qarta, me ndëshkime për këdo që e përdhos qytetin, me ndërgjegje të re. Dhe nëse nuk ndodh pas shansit të dytë,jam e sigurt se vetë Ermali, për dinjitet, do të tërhiqet. Sepse askush nuk ka dëshirë të vazhdojë të përdhoset duke u etiketuar si fytyra e dështimit. As ai. Vlora nuk ka nevojë për më shumë zhurmë. Ka nevojë për më shumë drejtësi. Më shumë respekt. Më shumë punë. Dhe më shumë dinjitet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit