Reforma që kërkon selektim. Jo fshirje kolektive

Ndaje

E njohim Edi Ramën. E njohim qasjen e tij të prerë.Nëse nuk punon, nuk meriton të jesh. Në këtë filozofi ka një logjikë të thjeshtë dhe të drejtë.Publiku meriton institucione që funksionojnë, qytetarët meritojnë shërbim, përgjegjësi dhe respekt. Administrata vendore nuk mund të jetë azil për të paaftët, as strehë për të shkujdesurit. Por kur dëgjoj se në Bashkinë e Vlorës të gjithë drejtuesit e drejtorive janë kërkuar të japin dorëheqje njëherësh, më lind pyetja që nuk mund të hesht. A është kjo drejtësi apo fshirje kolektive? A është ky reformim apo një shkulje me rrënjë, pa asnjë dallim mes atyre që punojnë dhe atyre që nuk kanë punuar kurrë? Unë nuk jam dakord! Nuk mund të ndërtohet asnjë ndryshim i qëndrueshëm mbi padrejtësi të reja. Nuk mund të shpallet përgjegjësi kolektive aty ku realiteti është më kompleks. Po, ka drejtues që kanë dështuar, që kanë humbur kontaktin me qytetin, që kanë lejuar vonesa, zvarritje dhe abuzime. Ata duhen larguar dhe madje ndëshkuar. Por ka edhe njerëz të ndershëm, ka drejtues që punojnë me pasion, që japin gjithçka për qytetin dhe shërbimin publik. Ka njerëz që kanë mbajtur administratën në këmbë, edhe kur sistemi ka qenë i ngurtë, edhe kur politika ka qenë moskokëçarëse. Shkarkimi pa dallim i të gjithëve është padrejtësi! Shkarkimi pa kriter është dështim i arsyes. Shkarkimi pa analizë është kthim pas, jo hap përpara. Askush nuk e mohon që për shumë vite pozicionet në administratën lokale janë ndarë si trofe të miqësisë, të servilizmit apo të “lidhjeve të gjakut”. Kjo është një plagë që e kemi ndjerë të gjithë. Ka pasur njerëz që kanë qëndruar në zyra jo për vlerat, por për lidhjet. Por ky është momenti për sqarim, jo për hakmarrje. Ky është momenti për të thënë se kush punon dhe jep rezultate dhe qëndron. Kush dështon dhe abuzon, largohet. Kjo është reforma e vërtetë që qytetarët presin. Jo fshirje me gomë. Jo dënim kolektiv. Jo frikë kolektive. Vlora nuk është eksperiment politik. Vlora nuk ka nevojë për t’u shkundur thjesht për të dhënë imazhin e një “pastërtie” artificiale. Vlora ka nevojë për frymë të re, për njerëz të zotë dhe për drejtues që dinë të marrin përgjegjësi, jo thjesht të nënshkruajnë dorëheqje për të ruajtur qetësinë e momentit. Reforma duhet të ketë emër dhe fytyrë konkrete. Duhet të ketë logjikë dhe drejtësi. Nuk mund të jetë thjesht një urdhër që vjen nga lart dhe zbatohet pa reflektim, sepse kështu nuk ndërtohen institucione të forta, por prodhohen frikë dhe kaos. I bëj thirrje qartë Kryeministrit, Kryebashkiakut dhe grupeve të punës. Mos i trajtoni të gjithë njësoj! Mos i dënoni të ndershmit bashkë me të paaftët! Mos e ktheni reformën në farsë. Ky qytet ka burime të jashtëzakonshme njerëzore. Ka drejtues dhe profesionistë që mund ta çojnë Vlorën përpara. Ata duhet të dalin në pah, të vlerësohen dhe të jenë pjesë e rindërtimit të administratës. Çdo hap i gabuar në këtë proces do të krijojë jo vetëm padrejtësi, por do të minojë vetë besimin që qytetarët kanë tek politika dhe tek institucionet. Kush guxon të bëjë dallimin? Kush guxon të qëndrojë i drejtë kur shumica zgjidh rrugën më të shpejtë? Ky është momenti për të treguar maturi, jo shkulje të verbër. Vlora ka nevojë për reformë me tru, jo me furçë. Ka nevojë për selektim, jo fshirje kolektive.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit