U desh edhe një herë që të lexojmë me neveri dhe tronditje një lajm që na thyen shpirtin,një baba përdhunoi vajzën e tij 12-vjeçare. Një baba! Një fjalë që për ne shqiptarët ka simbolikën e mbrojtjes, forcës dhe dashurisë është kthyer në sinonim të dhimbjes, dhunës dhe poshtërimit më të rëndë. Dhe nuk është hera e parë. Nuk është as e fundit. Për sa kohë sistemi ynë i drejtësisë do të mbetet i butë dhe i pafuqishëm përballë krimeve të tilla, për aq kohë do të dëgjojmë sërish raste të ngjashme. Do të lexojmë lajme që na shokojnë për një moment dhe pastaj gjithçka do të harrohet. Deri në krimin tjetër. Dhe në tjetrin… 33 vite më parë, Shqipëria u përball me një tjetër akt barbar, “Masakra e Libofshës”.Vëllezërit Çuko, pas një krimi të përbindshëm, u dënuan me varje në mes të qytetit të Fierit. Ishte 25 qershori i vitit 1992. Trupat e tyre qëndruan të varur deri në mbrëmjen tjetër, përpara syve të mijëra qytetarëve. Dhe ky ishte një vendim që u duartrokit nga të gjithë, për të mirën e të gjithëve. Ishte një akt i ashpër. Por ishte edhe një mesazh i qartë.Krime të tilla nuk tolerohen! Dhe për disa vite deri në vitin e errt të 97 -s askush nuk guxoi të përsëriste krime të ngjashme. Sepse, po, frika nga dënimi funksionon. Sepse, po, ndëshkimi shembullor parandalon. Çfarë po ndodh sot? Sot, Shqipëria ka një Kod Penal që parashikon dënime për përdhunuesit, por dënimet janë të zbehta përballë dhimbjes dhe shkatërrimit që pëson një fëmijë viktimë e këtij monstruoziteti. Një vajzë 12-vjeçare sot ka humbur pafajësinë, lumturinë, fëmijërinë dhe mbi të gjitha, besimin tek bota dhe tek njerëzit. Askush nuk do t’ia rikthejë dot më ato. Por drejtësia mund e duhet t’i japë asaj dhe gjithë shoqërisë një ndjenjë qetësie që ky kriminel do të marrë ndëshkimin më të rëndë të mundshëm. Burgim i përjetshëm, pa falje, pa kushte, pa liri me sjellje të mirë!Izolim absolut.Pa mëshirë. Sepse nuk bëhet fjalë për një gabim njerëzor. Ky është një akt çnjerëzor. Një akt që nuk gjen as justifikim, as shpjegim, as mëshirë. Shqipëria ka nevojë për drejtësi të fortë, të pandikuar, të qartë në mesazhin që jep. Për ata që cënojnë fëmijët, nuk ka falje! Le të miratohet një paketë speciale ndëshkimesh për dhunën seksuale ndaj të miturve. Le të përfshihet dënimi maksimal, pa mundësi uljeje. Le të shqyrtohet rikthimi i dënimeve ekstreme për rastet më të rënda. Le të rikthehet dënimi me varje nl mes të sheshit për raste të tilla. Sepse sot nuk po flasim për ekonomi, për trafik, apo për ndonjë shkelje administrative. Sot po flasim për një jetë fëmije të shkatërruar përgjithmonë. Jo, nuk kam fjalë të buta sot. Nuk dua të jem “korrekte politikisht”. Po e them si qytetare, si grua, si gazetare, si nënë. Mjaft më me mëshirë për të pamëshirshmit! Dënimi për këtë baba monstër duhet të jetë shembull për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë krime të tilla. Në emër të vajzave tona. Në emër të fëmijërisë. Në emër të jetës!
