5 gushti është një datë e veçantë për mua, Dita e Shën Marisë. Festoj në këtë ditë të bekuar dhe jam rritur në një familje të krishterë ortodokse, brez pas brezi, me frymën e lutjes, të respektit dhe të dashurisë për Zotin. Por sot, në 24 qershor, dita kur miliona zemra në mbarë botën kujtojnë shfaqjen e parë të Zojës së Paqes në Medjugorie, ndjej nevojën të ndaj diçka më shumë sesa thjesht një urim festiv Edhe unë kam qenë atje… Kam ngjitur atë kodër të lodhshme me gurë të mprehtë, kam parë fytyrat e përkulura në lutje, kam dëgjuar këngët që ngrihen drejt qiellit dhe kam parë lotë që rrëshqasin heshturazi mbi faqet e njerëzve. Medugorje të jep një paqe të veçantë. Por… bashkë me këtë paqe, më ka ndjekur gjithmonë një pyetje. Sa prej atyre që ngjiten në atë kodër e bëjnë me një ndërgjegje të qetë? Sa prej tyre shkojnë atje për të kërkuar ndjesë për fjalët e rënda që kanë thënë, për padrejtësitë që kanë bërë, për dhimbjen që u kanë shkaktuar të tjerëve me dashje apo pa dashje? Në këtë 24 qershor, shumë kanë nxituar të ngjiten lart , te Kryqi Blu apo në Kodrën e Podbrdos. Shkojnë për t’u lutur për shëndetin e tyre, për të ardhmen, për një dëshirë personale… Por vallë, sa prej tyre ndalen dhe pyesin veten. A kam lënduar dikë? A jam treguar i drejtë? A kam bërë paqe me të tjerët, përpara se të kërkoj paqe me Zotin?” Zoja e Paqes nuk erdhi vetëm për të na dhënë paqe për veten. Ajo na fton të jemi të drejtë me njëri-tjetrin. Paqe do të thotë edhe të mos përjashtosh, të mos gjykosh padrejtësisht, të mos lëndosh me fjalë dhe vepra. Zoti llogarit çdo lot. Edhe ata lot që derdhen në heshtje, larg syve të njerëzve. Ai e di kur një fjalë e padrejtë thyen një shpirt të brishtë. Ai i njeh të gjitha ato plagë që shkaktohen nga fjalët, shikimet e ashpra, thashethemet, përjashtimet, akuzat e padrejta. Në këtë ditë, më shumë se çdo pelegrinazh fizik, do të doja të shihja më shumë sinqeritet në zemrat e njerëzve. Më shumë drejtësi në sjellje. Më shumë ndershmëri në marrëdhëniet me të tjerët. Paqja e vërtetë nuk fillon në Medjugore. Fillon brenda vetes. Fillon me atë mënyrën e heshtur se si sillemi me njerëzit çdo ditë. Fillon me guximin për të thënë: “Më fal”, kur duhet, dhe me forcën për të ndrequr ato që kemi prishur. Zoti nuk harron asnjë dhimbje. Gëzuar Festën e Zojës së Paqes! Dhe më shumë paqe këtë herë, një paqe që fillon me ndërgjegjen tonë.
