Nëse Jack London do të jetonte sot, nuk do t’i duhej të ndryshonte shumë për të shkruar “Martin Iden”-in. Sepse Martin-i është ende mes nesh, në çdo djalë apo vajzë që vjen nga një cep i harruar i vendit, me një etje të çmendur për dije, për të ndryshuar jetën, për të gjetur kuptim në një botë që nuk ia bën të lehtë askujt që nuk ka pasuri, lidhje apo mbiemër. Edhe sot, si atëherë, një njeri që nis nga asgjëja dhe përpiqet të bëhet “dikush” përmes dijes, përkushtimit dhe punës, përballet me të njëjtën mur, shoqëria nuk vlerëson thelbin, por paketimin. Nuk pyet më “çfarë je?”, por “sa ndjekës ke?”, “kë njeh?”, “a i përshtatesh sistemit?”. Martin Iden, ashtu si shumë të rinj sot, mëson të lexojë, të shkruajë, të mendojë thellë por për ironi, sa më shumë zhvillohet mendërisht, aq më i huaj ndjehet në botën përreth. Sepse bota nuk është më vend për njerëz që pyesin, që meditojnë, që kërkojnë kuptim. Është një botë e shpejtë, e zhurmshme, ku thellësia është mall pa treg. Sot, shumë të rinj e përjetojnë dramën e Martin-it në forma moderne, ndihen të papërshtatshëm në një treg pune që kërkon bindje, jo ide; në një shoqëri që inkurajon mediokritetin me vetëbesim dhe injoron dijen me përulësi; në një sistem që i ngre në qiell, pastaj i braktis sapo nuk japin më audiencë apo interes. Dhe më e dhimbshmja, edhe sot, pasi e arrin suksesin, shumë “Martin”-ë të rinj ndjejnë zbrazëtinë e të qenit i vetëm, i keqkuptuar, i shfrytëzuar. Sepse s’ka më dashuri të vërtetë, s’ka më ndershmëri të pastër ,çdo marrëdhënie është llogari, çdo kontakt është kalkulim. Ashtu si Martin Iden, edhe njeriu i sotëm që ka luftuar për veten, shpesh kupton me vonesë se në përpjekjen për të fituar botën, ka humbur veten. Dhe pyetja mbetet po ajo. Çfarë vlere ka suksesi në një shoqëri që nuk di të dojë për atë që je, por vetëm për atë që ofron? Martin Iden është një kujtesë e gjallë se pa shpirt, pa ndjenjë, pa ndershmëri, çdo arritje mbetet bosh. Dhe është një thirrje për ne , të mos lejojmë që idealistët të vdesin të vetëm, që mendimtarët të heshtin, që të ndershmit të ndëshkohen. Sepse nëse shoqëria e përjashton Martin Iden-in, ajo ka vendosur të përqafojë errësirën, edhe kur ka njerëz që digjen për t’i sjellë dritë.
