Administrata Universitare, motori i padukshëm që mban gjalle ritmin akademik

Ndaje

Sa herë përmendim fjalën universitet na shfaqet menjëherë përpara syve një pamje e gjallë. Auditore me studentë të emocionuar, profesorë që përçojnë dije me pasion, zëra që përplasen në korridore dhe një ritëm i gjallë që duket sikur nuk ndalet asnjëherë. Por në sfond, larg dritave të skenës, ekziston një tjetër botë, një botë që nuk kërkon vëmendje, por pa të cilën asgjë nuk do të funksiononte siç duhet. Është bota e administratës universitare, një strukturë e fortë dhe e palodhur, që i jep jetë çdo procesi, çdo lëvizjeje, çdo ëndrre akademike. Brenda këtyre zyrave të heshtura ku mungon zhurma e studentëve por rreh fort zemra e funksionimit të universitetit ndodhin mrekullitë e përditshme që shpesh i marrim të mirëqena.Këtu, çdo fletë e firmosur, çdo e-mail i kthyer, çdo dosje e përgatitur është një hap drejt një diplomimi, një marrëveshjeje, një suksesi. Po, është këtu ku përgatiten çertifikatat që gëzojnë studentet dhe prindërit, protokollet e ceremonive që duartrokiten, marrëveshjet kombëtare dhe ndërkombëtare që zgjerojnë horizontet, programet akademike që krijojnë mundësi të reja, mobilitetet studentore dhe stafit, kërkesat për studime të mëtejshme, dosjet e akreditimeve, planifikimet financiare dhe gjithë ai rrjet kompleks që përbën jetën akademike të një institucioni. Pa këtë organizim të saktë dhe të palodhur, asnjë diplomë nuk do të njihej, asnjë program nuk do të miratohej, asnjë marrëveshje nuk do të nënshkruhej dhe asnjë ceremoni nuk do të kishte atë hijeshi e solemnitet që shohim çdo vit. Administrata nuk është thjesht një zyrë. Është një orkestër e madhe, ku çdo sektor luan rolin e vet me përpikmëri duke mbajtur ritmin e një institucioni të tërë. Një vend ku përgjegjësia nuk varet nga dritat e reflektorit por nga ndjenja e përkatësisë dhe përkushtimi ndaj dijes. Në këtë organizëm të përkryer, specialistët e administratës janë heronjtë e heshtur. Ata që shpesh qëndrojnë pas orarit, që zgjidhin situata të papritura, që ndihmojnë studentët në çdo hap, që ruajnë dokumentacionin, mbajnë ritmin, rregullin dhe dinjitetin e çdo procesi. Puna e tyre nuk matet me duartrokitje por me qetësinë që një student ndjen kur merr një përgjigje të saktë, me sigurinë që një pedagog ka kur çdo gjë funksionon, me besimin që krijohet në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare dhe me dijen që qarkullon në mënyrë të rregullt falë strukturës që ata mbajnë gjallë. Kjo është një botë ku durimi është virtyt, përpikmëria është detyrë dhe dashuria për punën është një zgjedhje e përditshme. Prandaj, kur të përmendim Universitetin nuk mjafton të flasim vetëm për auditorët, profesorët dhe studentët. Duhet të kujtojmë gjithmonë ata që punojnë në heshtje. Ata që janë zemra e një institucioni, kraharori i tij i padukshëm që rreh me përkushtim çdo ditë. Ky shkrim është për ta. Për ata që nuk kërkojnë vëmendje por pa të cilët nuk do të kishte ritëm, siguri, apo progres. Për administratën universitare,motorin e padukshëm që mban gjallë shpirtin akademik të vendit.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit