Kur Partenoni u çlirua nga skelat dhe heshtja foli përsëri

Ndaje

Ka pamje që na mësojnë të presim dhe monumente që edhe të mbuluara nuk pushojnë së foluri. Dhe pastaj ka çaste të rralla kur historia të zbulohet papritur me gjithë dritën dhe peshën e saj siç ndodhi së fundmi në Akropol kur pas gati 15 vitesh, ana perëndimore e Partenonit u çlirua nga skelat që e kishin mbuluar për dekada restaurimi. Kjo nuk është thjesht një lajm për adhuruesit e arkitekturës apo turizmit. Është një ngjarje që flet për durimin, kujdesin dhe vlerësimin që një shoqëri i kushton trashëgimisë së vet. Është një moment që të fton të mendosh se sa herë ndodh që për të parë bukurinë e plotë të diçkaje, duhet të presësh një dekadë e gjysmë? Partenoni edhe i mbuluar, nuk pushoi së qeni simbol por me heqjen e skelave, ai na kujtoi fuqinë e pamjes së qartë, të asaj që nuk ka nevojë për interpretim sepse flet vetë. Pjesa që sheh Herodionin është tani e hapur, e pastër, frymëzuese, një ftesë për t’u rikthyer te thesaret e lashtësisë jo si vizitorë të thjeshtë por si pasardhës që mbajnë përgjegjësi për to. Ky çlirim i një pjese të Partenonit është simbolik për kohën në të cilën jetojmë dhe në një botë ku gjithçka lëviz shpejt dhe sipërfaqësisht, ja ku kemi një dëshmi se gjërat me vlerë kërkojnë kohë, përkujdesje, dhe ndonjëherë… durim të heshtur. Le të mos harrojmë se restaurimi vazhdon por tani, ndërhyrjet e reja do të kryhen me kujdes të shtuar që të mos prishin përvojën estetike të vizitorëve sepse bukuria nuk është vetëm e kaluar, është një përjetim i gjallë i së tashmes. Në këtë editorial nuk dua thjesht të festoj rikthimin e një pamjeje por të ndaj një ndjesi që ndonjëherë, kur historia zbulon fytyrën e saj të plotë, na mëson më shumë për veten sesa për të kaluarën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit