Në dhomat e heshtura të shtëpisë së nonës, përballë dritares që kapte dritën e mëngjesit, rrinte një objekt i palëvizshëm, por me shpirt të gjallë, makina e qepëse Singer. Ajo nuk ishte thjesht një vegël pune por një shoqe e heshtur e grave të dikurshme. Një dëshmitare e netëve të gjata, kur duart e lodhura prej punëve të ditës vazhdonin të krijonin me përkushtim qoftë një fustan për dasmë, një palë jastëkë për pajë apo ndonjë copë që do të trashëgohej. E zezë, e rëndë, me dekorime të arta dhe pedalin e saj të hekurt që trokiste butë si një këngë e harruar, Singer nuk ishte vetëm pjesë e mobilimit të shtëpisë por pjesë e jetës. Ishte ritmi i një epoke ku gjithçka bëhej me dorë, me zemër, me durim. Por rrënjët e kësaj historie fillojnë shumë më herët.
Në vitin 1851, Isaac Merritt Singer, një sipërmarrës amerikan, përmirësoi një model ekzistues të makinës së qepjes, duke e bërë atë më të lehtë për përdorim, më efikase dhe më të arritshme për gratë në çdo shtëpi. Edhe pse nuk e shpiku ai makinerinë e parë, ishin vizioni dhe guximi i tij që e kthyen në një simbol të transformimit social. Singer ishte një nga të parët që e kuptoi se forca e grave nuk qëndronte vetëm në durim por edhe në aftësinë për të krijuar, për të ndërtuar dhe për të qëndruar të pavarura. Ai punësoi gra për t’i demonstruar publikisht makinat dhe krijoi sistemin e pagesës me këste, një ide revolucionare për kohën që lejoi shumë familje të kishin më në fund një mjet që do t’u ndryshonte jetën. Gratë që qepnin me Singer nuk ishin thjesht amvisa por krijuese, ekonomiste, veterinere, mësuese. Qepnin rrobat e fëmijëve, rregullonin xhaketat e burrave por mbi të gjitha, qepnin stabilitetin e familjes. Në një kohë kur gratë kishin pak mjete në dorë për të ndërtuar të ardhmen, Singer ishte një mundësi, një fuqi e heshtur, një revolucion i qetë që ndodhte në çdo qoshe shtëpie. Sot, për shumë familje shqiptare, ajo makinë qëndron ende diku , ndoshta në një qoshe të pluhurosur, ndoshta si dekor, ndoshta si kujtim por për ata që e njohin historinë, është relikë, një trashëgimi që nuk matet me vlerë monetare por me kujtime, sakrifica dhe frymëzim. Makina qepëse Singer është pasuri e heshtur e brezit të grave që ndërtuan me durim jo vetëm rrobat por edhe jetët tona. Një copë histori që nuk duhet të harrohet sepse kur një nënë, një gjyshe, një motër i binte pedalit, ajo nuk qepte vetëm copa por dashurinë. Në familjen tonë e ruan me dashuri Lila, nusja e dajës. Ajo qëndron krenare pranë Singer-it si të mbrojë një pasuri të shenjtë që u ka mbijetuar kohëve dhe sa herë e shoh më pushton një emocion i bukur. A ka mbetur Singer-i në shtëpinë tuaj? Nëse po mos e lini të pluhuroset, ruani kujtimet me kujdes, ndaloni një cast dhe dëgjoni cfarë flet ajo makinë sepse ajo nuk flet për modë por për dashuri, përkushtim, sakrificë, për familje. Për nënat tona.
Dhe kur të dëgjoni atë zhurmën e lehtë të pedalit që kthehet mbajeni mend se është jehona e një dashurie që nuk vjetërohet kurrë.
Ndaje
