Mësues, Lexo!

Ndaje

E pashë papritur. Në një nga ato ditët që mendon se do jenë të zakonshme. Ishte ai, nxënësi dikur “i zhurmshëm”, “i papërqendruar”, “i lodhshëm”. Ai që disa e shihnin si problem, e të tjerë si barrë. Por sot? Student, buzëqeshje e sigurt, shtrëngim dore plot dinjitet. M’u kthyen në kujtesë të gjitha orët e përpjekjeve për ta kuptuar si mësuese kujdestare asokohe,debatet për ta mbrojtur, vështrimet e të tjerëve që nuk donin të kuptonin. Dhe po, e pranoj, ndjeva një ngërç në ndërgjegje. Sepse kujtimet e hidhura nuk zhduken. Ato mbeten si plagë që s’duken, por nuk shërohen. Dhe ai ishte vetëm një. Janë shumë të tjerë që ende keqkuptohen, ndëshkohen, etiketohen jo sepse janë “ i keq”, por sepse sistemi nuk lexon më shumë për ta.
Sepse mësuesi mjaftohet me atë që di , jo me atë që duhet të dijë. Këtu fillon thirrja ime.
Jo për fajësim. Por për ndërgjegjësim. Jo për të treguar gishtin, por për të ndezur një dritë.
Një thirrje që fillon me një fjali të vetme. Mësues, lexo! Në çdo klasë ka një fëmijë që nuk rri dot ulur. Që flet pa radhë. Që nuk përqendrohet gjatë. Që lëviz shumë. Që shpesh ndërpritet. Që korrigjohet. Që ndëshkohet. Dhe në fund që etiketohet: “i papërqendruar”, “i paedukatë”, “problem”. Por a kemi ndalur ndonjëherë të pyesim veten. Po sikur ai fëmijë të mos jetë “problem”? Po sikur të jetë një fëmijë me ADHD? Çfarë është ADHD? ADHD (Çrregullimi i Hiperaktivitetit dhe Vëmendjes së Shpërqendruar) nuk është mungesë edukate, nuk është mungesë vullneti, nuk është përtaci. Është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën si truri përpunon informacionin, si menaxhohet impulsi dhe si kontrollohet vëmendja. Nuk ka të bëjë me karakterin. Ka të bëjë me gjenetikën. Por ata janë gjithmonë të keqkuptuar Në vend që të mbështeten, shumë prej këtyre fëmijëve përjetojnë fyerje nga bashkëmoshatarët e tyre, dënime publike nga mësuesit, keqkuptime në shtëpi, etiketime si “dembel”, “agresiv”, “jashtë kontrollit” Por ata nuk e bëjnë me qëllim. Ata nuk zgjedhin të mos përqendrohen. Ata nuk e zgjedhin ADHD-në por ne mund të zgjedhim si t’i trajtojmë. Dhe për mësuesit mësimdhënia nuk mjafton.
Nëse je mësues, ke në dorë më shumë sesa një program mësimor.
Ke në dorë një vetëbesim, një jetë, një plagë që mund të shërohet ose thellohet. Dhe kjo nuk bëhet vetëm me mësim. Shumë mësues mjaftohen me një diplomë të vjetër, me disa certifikata formale, apo trajnime që janë më shumë pika për kredi, sesa për dije.
Por fëmijët me ADHD kërkojnë më shumë. Mirëkuptim. Lexime. Formim. Durim. Vëmendje.
As drejtuesit e shkollave nuk bëjnë përjashtim. Drejtimi i një shkolle nuk është vetëm axhenda e aktiviteteve apo menaxhimi i mungesave. Është drejtimi i një mikroshoqërie njerëzore ku ndodhin trauma, përplasje, rritje, dhe shpresë. Leximi nuk është vetëm për nxënësit Lexo dhe ti, mësues.
Jo thjesht për planin mësimor, por për realitetin emocional të klasës tënde.
Lexo për:
• ADHD
• Autizëm
• Ankth tek të rinjtë
• Bullizëm
• Trauma fëmijërore
• Rritjen dhe zhvillimin e trurit të fëmijës

Lexo për të kuptuar, përpara se të ndëshkosh.
Lexo që ora jote të mos jetë thjesht rutinë, por udhëtim për transformim. Mësues, lexo! Mos thuaj: “S’di të sillesh”, nëse nuk di çfarë është ADHD.
Mos thuaj: “Ti s’bëhesh njeri”, nëse ti vetë s’ke lexuar një libër që prej diplomës. Diploma jote nuk mjafton. Sepse nuk ka dije pa ndjeshmëri. Nuk ka arsim pa përfshirje.
Nuk ka mësues të vërtetë pa lexim të vazhdueshëm. Dhe në fund… Ka fëmijë që nuk kanë prindër të lexuar. Që nuk dëgjohen në shtëpi. Por kanë ty i dashur mësues. Dhe ti mund të jesh i vetmi njeri që sheh përtej sjelljes. I vetmi që nuk vendos etiketa. I vetmi që zgjedh të kuptojë, para se të korrigjojë. Mësues, lexo! Fillo nga një faqe. Një artikull. Një libër. Por mos u ndal.
Sepse brezi që ke përpara është ndryshe dhe meriton një mësues që ecën me ta, jo pas tyre.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit