Ka mendimtarë që nuk përpiqen të të pëlqejnë, por të të sfidojnë,që nuk ndërtojnë fjali për t’u duartrokitur, por ide që kërkojnë të mendohen deri në fund. I tillë është Milton Friedman, një nga figurat më me ndikim në ekonominë moderne, i cili e vendosi theksin te liria individuale si themel i çdo shoqërie funksionale, por njëkohësisht e lidhi atë ngushtë me përgjegjësinë personale ,një lidhje që shpesh harrohet në interpretimet sipërfaqësore.Në thelb të mendimit të tij qëndron ideja se një shoqëri është më e shëndetshme kur individët janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre ekonomike dhe personale, pa ndërhyrje të tepërt nga shteti, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillohet iniciativa, kreativiteti dhe përgjegjësia,por kjo liri nuk është një hapësirë pa kufij moralë, përkundrazi, ajo kërkon një ndërgjegje të fortë për pasojat e zgjedhjeve, pasi çdo vendim i lirë mbart edhe koston e tij.Friedman argumentonte se ndërhyrja e tepërt shtetërore, edhe kur vjen me qëllime të mira, shpesh krijon pasoja të padëshiruara, duke deformuar tregun dhe duke zbehur ndjenjën e përgjegjësisë individuale, ndërkohë që mekanizmat e tregut të lirë, kur funksionojnë në mënyrë të drejtë, krijojnë një balancë më efikase mes kërkesës dhe ofertës, duke shpërblyer meritën dhe duke ndëshkuar joefikasitetin,megjithatë, kjo nuk do të thotë se tregu është i përsosur, por se është më i aftë të korrigjojë veten sesa sistemet e centralizuara.
Një nga qëndrimet më të njohura të tij se “nuk ka gjëra si një drekë falas” nuk është thjesht një metaforë ekonomike, por një filozofi e të menduarit, e cila na kujton se çdo përfitim ka një kosto të fshehur, edhe kur nuk është menjëherë e dukshme dhe në këtë kuptim, ai na fton të jemi më kritikë ndaj premtimeve të lehta dhe më të vetëdijshëm për mekanizmat që qëndrojnë pas tyre.
Në një kohë kur kërkesa për siguri shpesh përplaset me nevojën për liri, mendimi i Friedman mbetet aktual pikërisht sepse nuk ofron rehati, por qartësi,liria nuk është një privilegj pa detyrim, por një provë e vazhdueshme e aftësisë sonë për të zgjedhur, për të mbajtur përgjegjësi dhe për të përballuar pasojat e zgjedhjeve tona.
Ndaje
