Një kujtim i leximit të hershëm që kthehet në reflektim mbi dashurinë, dinjitetin dhe ndjeshmërinë njerëzore. Nuk e di atëherë saktësisht se si erdhi tek unë Zonja me kamelie, sepse në bibliotekën e vjetër të tim eti, ku librat ishin të radhitur me kujdes, me një lloj solemniteti që përzihej mes moralit dhe respektit për dijen, ky titull cuditërisht mungonte.
Por një ditë, pa e kërkuar, më ra në duar, ndoshta një huazim apo shkëmbim librash mes shoqesh, ritual i njohur asokohe. E hapa me ndjesinë e dikujt që po hyn në një histori të ndaluar por që e ndjen menjëherë se do ta dojë. Isha adoleshent atëherë si shumë vajza të asaj moshe, e etur për dashuri ndaj leximit që tejkalonte të zakonshmen, për ndjenja që i japin kuptim jetës, sado të dhimbshme të jenë. Më kujtohet se i lexova faqet me një frymë, pa ndalur për të gjykuar apo për të pyetur. Marguerite Gautier më pushtoi që në rreshtat e parë, ajo grua që çdo mbrëmje mbante në dorë një kamelie të bardhë ndërsa në ditët kur ishte e sëmurë, një të kuqe.
Një shenjë delikate, pothuaj poetike, që ndante botën e saj në dritë dhe hije. Në roman, Dumas e ndërton Margaritën si një grua të jashtëzakonshme, të thyer mes luksit dhe vetmisë, mes ndjenjës dhe gjykimit. Ajo jeton në Parisin e zbukuruar por bosh, të shekullit XIX, në një shoqëri që e adhuron për elegancën e saj por e përjashton për mëkatin që ajo as nuk përpiqet ta fshehë.
Kur njeh Armand Duval-in, dashurinë e saj të vetme, jeta i ndryshon drejtimin dhe për një kohë të shkurtër, Marguerite guxon të jetojë ndryshe, të ndjejë, të besojë se mund të shpëtojë,por dashuria e saj është e paracaktuar për të mos zgjatur. Në atë Paris të moralit të shtirur, dashuria e një gruaje si ajo s’mund të pranohet dhe ajo e kupton këtë me një qetësi që të copëton zemrën. Në atë kohë, unë dhe mikeshat e mia flisnim gjatë për këtë roman. Secila prej nesh ndiente diçka ndryshe, njëra e shihte Margaritën si një viktimë, tjetra si një heroinë por të gjitha e ndjenim që ajo përfaqësonte diçka që ne ende nuk e kishim jetuar, por që e nuhatnim me ndjeshmëri të çuditshme, ndoshta idenë e dashurisë që nuk kërkon falje, që nuk ka nevojë të justifikohet për mënyrën si ndjen.Më vonë, e pashë realizimin e kësaj kryevepre në film.Në ekran, Margaritë kishte një tjetër ndjesi, fytyra e saj ndriçonte nën dritën e hollë të mbrëmjes ndërsa Armand, në ankthin e dashurisë së pamundur, e kërkonte me një përkushtim që sot më duket fëmijëror por atëherë më magjepsi. E mbaj mend ende skenën kur ajo, tashmë e sëmurë, shkruan letrën e fundit me dorën që i dridhet por me një qetësi që e fisnikëron. Në atë letër nuk kishte asnjë ankesë, asnjë akuzë por vetëm falje dhe përulësi. Ishte ndoshta momenti kur kuptova se dashuria e vërtetë nuk bërtet por hesht me dinjitet. Sot, pas shumë vitesh, e kuptoj se Zonja me kamelie nuk është vetëm një histori dashurie por një rrëfim për forcën e ndjenjës, për dëshirën për t’u pranuar dhe për guximin për të qenë i vërtetë në një botë që gjykon.Margaritë nuk është thjesht një kurtizane e brishtë që vdes nga tuberkulozi por një grua që zgjedh të mos tradhtojë zemrën e saj, as kur e di se ajo zgjedhje do ta çojë drejt fundit.Në këtë qëndron madhështia e saj,ajo nuk kërkon as shpëtim, as falje por kuptim. Por në bisedat e sotme me mikeshat e mia, romani merr kuptime të reja.Njëra prej nesh thotë se Margaritë është simbol i lirisë për të dashuruar pa kushte, një tjetër e sheh si figurë të sakrificës që çdo grua njeh në një formë apo tjetër dhe unë ndryshe nga dikur e lexoj tani si një histori e dhembshurisë për dashuritë që nuk zgjasin por që të ndryshojnë përgjithmonë sepse ndonjëherë, nuk është koha ajo që i jep vlerë një ndjenje por thellësia me të cilën ajo përjetohet. Mendoj se librat që na shënjojnë vërtet nuk janë ata që i zgjedhim por ata që na gjejnë në momentin kur kemi nevojë për ta dhe “ Zonja me kamelie” më gjeti në një moshë kur besoja me naivitet se dashuria mund të shpëtojë gjithçka. Sot, e kujtoj si një mësim të heshtur se dashuria e vërtetë nuk shpëton gjithmonë por gjithmonë na fisnikëron.Sepse, si kameliet e Margaritës ,ndjenjat e pastra nuk vyshken kurrë por vetëm ndryshojnë formë, duke u kthyer në kujtesë.Dhe ajo që e bëri Margaritën të madhe në këtë vepër nuk ishte dashuria e saj por mënyra si ajo e jetoi ,me dinjitet, me heshtje dhe pa pendesë.
Ndaje
