Ka data që kalojnë në kalendar pa shumë zhurmë por që mbartin brenda tyre një domethënie të thellë për atë që jemi. 27 tetori, Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale është një prej tyre. Një ditë që UNESCO e shpalli në vitin 2005 për të kujtuar diçka thelbësore se kujtesa njerëzore nuk ruhet vetëm në libra por edhe në zë, në film, në imazh , në tingujt dhe figurat që dokumentojnë jetën e përditshme, gëzimet, luftërat, shpresat e një populli.
Në një epokë ku gjithçka konsumohet shpejt e harrohet më shpejt, trashëgimia audiovizuale është ndoshta forma më e brishtë e kujtesës. Një bobinë filmi që ka filluar të zverdhet, një kasetë magnetike që nuk dëgjohet më, një video në ndonjë format të harruar , janë copëza kohe që po zhduken në heshtje dhe bashkë me to, po humbasim pjesë të historisë sonë kolektive.
Në Shqipëri, kjo humbje merr përmasa edhe më të ndjeshme. Arkivat filmike, fonotekat dhe regjistrimet televizive janë thesare që ende presin të digjitalizohen. Në raftet e Kinostudios apo në arkivat e RTSH-së, prehen filma që kanë rrëfyer jetën e një epoke, zëra të aktorëve e këngëtarëve që kanë ndërtuar identitetin tonë kulturor por shumë prej tyre sot janë të dëmtuar, të pluhurosur, të harruar. Kjo ditë nuk duhet të shihet si një ceremonial formal por një thirrje për ndërgjegjësim kulturor. Nëse nuk investojmë për t’i ruajtur këto dokumente, brezat që vijnë do të trashëgojnë boshllëqe në kujtesë sepse një komb pa kujtesë audiovizuale është një komb që nuk e dëgjon dot më zërin e vet.Trashëgimia audiovizuale nuk është luks por historia jonë e gjallë, që flet në çdo fjalim të regjistruar, në çdo këngë popullore të incizuar, në çdo dokumentar që ka mbajtur frymën e një kohe.Dhe ndoshta, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes këtë 27 tetor është e thjeshtë, por e dhimbshme “ cfarë do të mbetet nga ne, nëse nuk kujdesemi për kujtimet tona të zëshme?
Në fund, kujtesa nuk është vetëm ajo që mbajmë në mendje por ajo që ruajmë për t’u dëgjuar sërish dhe nëse sot nuk e dëgjojmë, nesër mund të mos ketë më as zë, as kujtim.
Zëri i kujtesës që po venitet. Përse Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale duhet të na shqetësojë ?
Ndaje
