Rreth 20 radiostacione nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës u bënë pjesë e edicionit të 16-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Radiove, “Radiofest”, i cili u mbajt në qytetin e Gjakovës.
Ky aktivitet tradicional ka ngjallur interes të madh ndër vite dhe përfaqëson një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mes profesionistëve të radios nga hapësira mbarëkombëtare. Programi i festivalit përfshiu prezantime si reportazhe dhe dokumentar , mjaft materiale të tjera kreative të përgatitura nga radiot pjesëmarrëse. Një moment i veçantë i këtij edicioni ishte pjesëmarrja për herë të parë e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” LM Univlora duke shënuar gjithashtu herën e parë që një media universitare merr pjesë në këtë festival prestigjioz. LM Univlora u prezantua me një reportazh dhe një spot publicitar, të realizuara nga Laboratori Mediatik Univlora, duke reflektuar angazhimin e universitetit në zhvillimin e praktikave mediatike dhe formimin profesional të studentëve. Pjesëmarrja e Univlorës në “Radiofest” përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të medias universitare në rrjetin e mediave profesionale dhe krijon mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen. Një falënderim i veçantë i drejtohet drejtorit të Radio Gjakova, z. Skënder Gola, për mbështetjen dhe këmbënguljen e tij në realizimin e këtij takimi dhe për mikpritjen e treguar gjatë zhvillimit të festivalit.

