Unë për Rita Levi-Montalcini.

Ndaje

Kur mësova për Rita Levi-Montalcini, ajo që më mahniti fillimisht ishte zbulimi i saj i jashtëzakonshëm, faktori i rritjes së nervave (NGF). Ky nuk ishte thjesht një përparim në neuroshkencë por një dritare drejt kuptimit të mënyrës se si qelizat e trurit dhe nervave rriten, bashkëveprojnë dhe riparohen dhe ishte një ide që shënon një epokë. Ajo tregoi se njohuria mund të çlirojë njerëzimin nga kufijtë e biologjisë dhe mund të hapë mundësi të reja për trajtimin e sëmundjeve neurologjike si Alzheimer apo dëmtime nervore. Çfarë më prek më shumë tek jeta e saj nuk është vetëm zbulimi shkencor, por mënyra se si ajo arriti deri aty. Rita lindi më 22 prill 1909 në Torino, në një familje hebraike me kulturë të theksuar intelektuale. Që në fëmijëri, ajo tregoi një kuriozitet të jashtëzakonshëm dhe një mendje analitike, por jeta nuk e kursente nga sfidat. Kur ligjet racore të Mussolinit ndaluan hebrenjtë të punonin në universitete, ajo nuk u dorëzua por e ktheu dhomën e saj të vogël në një laborator ku filloi të studionte qelizat nervore të embrioneve pule. Atje, në heshtjen e dhomës dhe përballë pengesave, lindi ideja që do të ndryshonte neuroshkencën përgjithmonë. Kur mendon për të, e kupton se guximi i saj nuk ishte thjesht personal por një veprim i ndërgjegjshëm për të thyer barrierat që shoqëria i vendoste grave. Për mua, ajo nuk është vetëm një shkencëtare që fitoi Çmimin Nobel në 1986, por një simbol i vendosmërisë, pasionit dhe përkushtimit ndaj dijes dhe cdo herë që lexoj për laboratorët që themeloi, për institutet që drejtoi dhe për vajzat që frymëzoi të ndjekin shkencën, ndjej se trashëgimia e saj shkon shumë më larg sesa zbulimi i NGF-së. Ajo është një mesazh se çdo pengesë mund të kalohet me vullnet dhe vizion.
Ajo më mësoi gjithashtu se shkenca nuk është thjesht për ata që punojnë në laboratorë të mëdhenj ose për ata që mbajnë tituj të gjatë. Ajo është për ata që nuk ndalen së mësuari dhe së eksploruari, që guxojnë të sfidojnë pritshmëritë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht nga gjinia apo statusi shoqëror. Për mua, Rita Levi-Montalcini është dëshmi se pasioni dhe kureshtja nuk njohin kufij dhe se një jetë e përkushtuar ndaj dijes mund të lërë gjurmë të pashlyeshme në botë. Dhe ndërsa mendoj për jetën e saj, më duket e qartë se ajo nuk u ndal vetëm te shkenca. Ajo ishte aktive edhe në shoqëri, duke mbështetur vajzat dhe gratë të ndjekin edukimin dhe karrierën shkencore, duke treguar se guximi dhe vizioni nuk duhet të kufizohen vetëm në laborator, por të shtrihen në çdo hapësirë ku dijenia mund të bëjë ndryshimin. Rita Levi-Montalcini më frymëzon çdo herë që mendoj për shkencën dhe për atë që mund të arrijmë nëse nuk i trembemi sfidave. Për mua, ajo është shembulli më i qartë se një grua me pasion dhe kurajo mund të ndryshojë botën, dhe kjo është diçka që do të mbetet gjithmonë pjesë e imazhit tim për shkencën dhe për jetën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit