Turizmi kulturor nuk ka stinë. Trashëgimia kulturore si dritare e turizmit gjithëvjetor

Ndaje

Kur plazhet zbrazen çadrat mblidhen dhe hotelet nisen të zbrazen nga zhurmat verore, qytetet bregdetare si Vlora shpesh mbeten të heshtura. Duket sikur me fundin e verës mbyllet edhe një kapitull i tërë për turizmin. Por a duhet të jetë vërtet kështu? Turizmi nuk është një sezon. Nuk është vetëm rëra, dielli dhe uji. Turizmi është përjetim dhe Vlora ka shumë për të treguar përtej muajve të nxehtë. Ajo është vendi ku historia dhe identiteti takohen në çdo cep nga rrënojat e Apolonisë e deri tek oborret e shtëpive muze në qytetin e vjetër, nga këngët polifonike që mbeten ende të gjalla tek aromat e kuzhinës që mbartin shekuj zakonesh. Vlora është më shumë sesa një pushim vere dhe trashëgimia kulturore është shpirti i këtij qyteti.
Trashëgimia kulturore nuk është vetëm një fasadë muzeu por rrëfimi ynë i përbashkët, është mënyra si kujtojmë, si mësojmë dhe si trashëgojmë veten. Në Vlorë, ajo përfshin gjithçka , që nga flamuri i pavarësisë e deri tek thurja e qilimave në fshatrat përreth nga kalatë dhe xhamitë, tek ritet e dasmave, tregimet e të moshuarve e deri tek këngët e vjetra që ende këndohen nëpër oda. Kjo trashëgimi është një pasuri që nuk duhet të zgjohet vetëm gjatë verës. Ajo ka fuqinë të jetë një magnet për turistët e kulturës, për udhëtarët që duan të kuptojnë më shumë jo vetëm të pushojnë dhe përherë e më shumë, bota po kërkon pikërisht këtë , përjetime me kuptim, udhëtime që edukojnë, takime që mbeten gjatë në kujtesë. Por a jemi gati ta ofrojmë këtë?
Në shumë raste, mungon kujdesi i duhur dhe kjo nuk është thjesht një çështje estetike por humbje ekonomike, kulturore dhe identitare. Një investim i qëndrueshëm në trashëgiminë kulturore nuk është luks por strategji për zhvillim. Nëse ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë tonë gjatë gjithë vitit, nuk kemi nevojë të presim sezonin e verës për të gjeneruar ekonomi. Vizitorët që vijnë për kulturë qëndrojnë më gjatë, shpenzojnë më shumë, përfshihen më thellë. Turizmi i gjithëvjetshëm është i mundur dhe sot , shumë qytete evropiane dhe ballkanike e kanë kuptuar këtë realitet. Ata nuk shesin vetëm pamje por histori. Janë kthyer në qendra ku ndodhin festivale kulturore edhe në janar. Aty ku organizohen ekspozita në bodrume kështjellash në nëntor. Aty ku një udhërrëfyes lokal e shndërron një pasdite të zakonshme në një rrëfim mbresëlënës mbi jetën e një komuniteti të vjetër. Vlora ka çdo mundësi ta bëjë këtë. Të kthehet në një destinacion turistik të përhershëm. E ka klimën, historinë, trashëgiminë dhe mbi të gjitha krenarinë për të treguar se kush është. Ndaj është momenti që institucionet vendore, komunitetet lokale dhe sipërmarrësit të bashkëpunojnë për të ndërtuar një ofertë turistike që shkon përtej bregdetit. Sepse vetëm kur historia merr zë dhe trashëgimia bëhet e gjallë, një qytet fillon të jetojë me të vërtetë dhe vetëm atëherë turizmi nuk do të quhet më “sezonal”, por një mundësi e vazhdueshme zhvillimi, krenarie dhe identiteti. Sepse turizmi kulturor është e ardhmja e Vlorës nëse ia hapim portën siç e meriton.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit