Mësuese Evanthia, mësuesja e klasës së parë, kishte një shkrim që të rrëmbente pa folur. I rrumbullakosur, i butë dhe kaq i qartë sa çdo gërmë dukej sikur kërcente mbi dërrasën e zezë, si një lojë magjike që vetëm ajo mund ta bënte.
Ne, nxënësit e saj, shpesh qëndronim të mahnitur, duke e vështruar dhe duke u përpjekur ta imitonim, pa u lodhur, me një lloj gëzimi të heshtur që vetëm fëmijëria mund ta kuptojë. Nuk e harroj kurrë atë shkrim, me të cilin dashuroheshim të gjithë. Ajo nuk shkruante thjesht për të dhënë mësim,ajo shkruante për të na mësuar disiplinë,qetësi dhe durim. Çdo gërmë që dilte nga dora e saj dukej aq e gjallë dhe lozonjare sa ne, papritmas, nisëm të shihnim secilën fjalë si një lojë të vogël, një sekret që duhej zbuluar dhe përsëritur. Dhe ja doli që … Moza, Kena, Lela, Vala, Ela, Irina, Gimi, Albana, Elvira, Bona, Vangua, unë….ndoshta të gjithë, pa përjashtim, nisëm të shkruanim si ajo. Çdo shkronjë dhe çdo rresht, ishte një pasqyrim i dashurisë së saj për fëmijët dhe për dijen. Tabela e klasës nuk ishte thjesht një sipërfaqe e zezë por një muze miniature ku gërmat e mësueses sonë Evanthisë, luanin si piktura të vogla. Ne mësuam të krijonim mendim, të ndjenim ritëm dhe të kuptonim se bukuria mund të lindë nga durimi dhe kujdesi. Një fjalë e bukur, një gërmë e rrumbullakosur, një “kërcim” i vogël i shkumësit të bardhë mbi dërrasë dhe mendja jonë ndjente gëzim ndërsa zemrat rrihnin më ngrohtë. Shkrimi i saj nuk ishte thjesht shkronja mbi dërrasë por një gjuhë tjetër, e heshtur dhe e butë, që na mësonte të ndjenim, të imagjinonim dhe të kuptonim se si mund të transformohej dija në diçka të bukur. Ajo na dha më shumë se mësim, ajo na dha një trashëgimi, një mënyrë të të menduari të cilën nuk do ta harrojmë kurrë. Prandaj, le të rikthejmë vëmendjen te shkrimi i dorës. Le të mos e lëmë të zbehet, sepse ai nuk është vetëm një aftësi por një gjuhë, një trashëgimi, një mënyrë për të folur edhe pa fjalë. Ashtu si Mësuese Evanthia na mësoi ne, le të kujdesemi që çdo fëmijë të ketë mundësinë të mësojë të shkruajë bukur, me dashuri dhe durim dhe të ndjejë magjinë e gërmave që flasin për mendje, zemër dhe shpirt. Në këtë rrugë, nisma globale e UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës vjen si një thirrje e fuqishme për të gjithë ne, që ta ruajmë këtë gjuhë të bukur, të heshtur dhe magjike, ta mbrojmë si trashëgimi arsimore dhe kulturore dhe mbi të gjitha ta përcjellim tek çdo brez i ri, ashtu siç bëri Mësuese Evanthi Kapo me ne.

