Edhe këtë fillim shtatori ndodhi përsëri e njëjta gjë. Kush më njeh e di se çdo verë, familjarisht i drejtohemi Korfuzit jo thjesht për lidhjet e gjakut, prejardhjes apo dashurisë në breza. Jo për luksin e resortit dhe as për modën e pushimeve jashtë vendit. Por për diçka më të thellë, më të vërtetë, më të prekshme nga shpirti. Ne shkojmë për buzëqeshjen,për përshëndetjen e ngrohtë në mëngjes, për gotën e ujit që të sjellin pa e kërkuar. Për një “kali mera” që vjen sy në sy e buzagaz, për shërbimin që nuk ndodh me faturë por me zemër. Ndaj, po e pranoj me zemër të bardhë këtë “tradhti” të përvitshme ndaj Vlorës. Sepse Vlora nuk është më një destinacion shpirtëror për mua . Pa dashur ndoshta është kthyer në një ndalesë të lodhur të kapitalizmit të faturës ku çdo buzëqeshje kushton, ku çdo shërbim është përllogaritur, ku njeriu i rradhës është vetëm një klient dhe jo një mik. Dhe këto ditë më erdhën ndër mend fjalët e vyera të Nikjarskyt që flet vazhdimisht në ligjërimet e tij për kapitalizmin e faturës dhe kapitalizmin e marrëdhënies. Ndaj them se në Vlorë ndihesh klient ndërsa në Korfuz ndihesh një mik i vërtetë.Dhe një turist e ndjen shumë mirë ndryshimin sepse e dallon në buzëqeshje, në përqafimin e ndarjes, në sytë që të thonë: “Do të presim sërish”. Unë e di fort mirë se Vlora meriton më shumë, mundet më shumë sepse ka bukurinë ,historinë, shijen , diellin dhe dritën por i mungon vetëm një gjë, shpirti i shërbimit. Jo ai i shpejtësisë, i llogarisë, i fitimit të çastit por ai që ndërton kujtime, marrëdhënie dhe miqësi. Por turizmi nuk është biznes por përvojë. Dhe Vlora duhet ta rikthejë këtë frymë. T’i japë zemër shërbimit. Ta kthejë mikun në bashkëudhëtar dhe klientin në kujtim të bukur.E nëse do ta arrijë këtë unë premtoj se një ditë, do “tradhtoj” Korfuzin për Vlorën. Përgjithmonë.
